26 vjet nga rënia e Luan Haradinajt
Lexohet për: 2 min.
E3C72926-B354-4916-A7DF-561BE784280E
1 vit më parë
Linku u kopjua

Sot, bëhen 26 vjet nga rënia e heroit Luan Haradinaj, i cili kishte rënë në njërën prej betejave të para të UÇK-së kundër forcave pushtuese serbe, më 6 maj të vitit 1997, në kufirin shqiptaro-shqiptar.

Beteja disa orësh me forcat serbe, derisa ka qenë duke udhëhequr një ekspeditë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rrugën për të hyrë në Kosovë, i ka marrë jetën njërit prej djemve të familjes Haradinaj.

Në këtë ditë, Luan Haradinaj, bashkë me të vëllain, Ramush Haradinaj dhe grupin e përbërë nga Fehmi e Xhevë Lladrovci, Selim Krasniqi e Ramiz Lladrovci, Abedin Rexha e Ilaz Kodra, Rafet Rama e Gani Rama, Emrush Xhemajli dhe Ali Ahmeti janë nisur për në Kosovë. Ata kishin arritur sipër fshatit Larë, fshat ky afër Kushninit të Hasit, në vendin e quajtur “Qafa e Mullarit”, kur grupi ka rënë në një pritë që ka zënë ushtria jugosllave, në kufirin 179 shqiptaro-shqiptar.         

Në këtë pritë, është vrarë Luan Haradinaj, është plagosur Rafet Rama, e po ashtu edhe Ramush Haradinaj dhe Fehmi Lladrovci. Trupi i Luan Haradinajt ka pushuar në Vlanë deri në çlirimin e Kosovës. Pas çlirimit, trupi i tij është rivarrosur në Varrezat e dëshmorëve të kombit në vendlindje, në Gllogjan të Rekës, ku prehet i qetë, së bashku me 20 dëshmorët e vendlindjes.

Luan Haradinaj është lindur  më 17 nëntor 1973 në fshatin Gllogjan të Rekës, përkatësisht të Deçanit. Ai shkollën fillore e ka kryer në fshatin Irzniq, ndërsa shkollën e mesme, përkatësisht gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan. Pas kryerjes së shkollës së mesme, Luan Haradinaj është regjistruar në Fakultetin e Edukatës Fizike në Tiranë, të cilin nuk ka arritur ta kryej duke iu bashkuar kështu luftës për çlirimin e Kosovës.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025