25-vjetori i Epopesë së UÇK-së u shënua edhe në Shkup
Lexohet për: 3 min.
IMG-20230306-WA0066
1 vit më parë
Linku u kopjua

Sot, në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup u mbajt një akademi solemne-përkujtimore për shënimin e 25-vjetorit të Epopesë së UÇK-së dhe rënien heroike të familjes Jashari në Prekaz. Ngjarja u organizua nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve dhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup.

Drejtori i Institutit, Skender Asani tha se Adem Jashari është bërë simbol i rezistencës së organizuar kundër pushtuesve serbë.

“Ne jemi me fat që këtë figurë të madhe të kombit, e patëm edhe në mesin tonë, këtu në Shkupin Dardan në fillm të viteve 90-të. Është meritë e shkupjanëve, parasegjithash e atyre që ishin shokë dhe bashkëpunëtorë të Adem Jasharit, të cilët pa i llogaritur pasojat dhe rreziqet, i ofruan strehim dhe logjistikë, njeriut i cili më vonë do të shkruaj historinë e lavdishme të Kosovës me gjakun e vet dhe të familjes, duke u bërë kështu simbol i rezistencës së organizuar kundër pushtuesve serbë.”, për të konkluduar se: “Shkupi dhe Adem Jashari do të jenë të lidhur bashkë në një gjerdan kujtimesh të pashlyer, sikur që janë të pashlyera gjurmët mbi të cilat kaloi karvani i Lëvizjes sonë kombëtare në kalldërmin e Shkupit.”, u shpreh ai.

Ndërkaq, ambasadori i Kosovës në Shkup, Florian Qehaja përmendi sukseset e shtetndërtimit të Kosovës, duke u ndalur veçmas në rolin paqësor që ka FSK-ja në aleancën veri-atlantike.

Mysafire në këtë ngjarje ishte edhe drejtoresha e Institutit të Historisë “Ali Hadri” të Prishtinës, Teuta Shala-Peli, e cila në kumtesën e saj vuri në pah rolin e madh që ka ky përvjetor që e gjen Kosovën të konsoliduar si shtet, duke e realizuar kështu amanetin e komandantit legjendar, Adem Jashari.

Ndërkaq, hulumtuesi shkencor i Institutit, Zeqirija Ibrahimi, siç u bë e ditur në komunikatë, e lexoi kumtesën “Ademët e Lirisë”, duke ndërtuar një aluzion me esenë e Erih Fromit “Për padëgjueshmërinë” e Adamit/Ademit, që ishte shkak për fillimin e historisë, të cilën e ndërthuri me Ademët shqiptarë, që ai i kishte regjistruar në emrat e Adem Demaçit dhe Adem Jasharit.

Sipas tij, “Ademët tanë, njësoj si Ademi i Parë ose si Prometheu e kryen detyrën e tyre.

Ngjarja u begatua edhe me pjesëmarrjen e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Shqiptare, drejtuar nga artisti Shkodran Tolaj.

Sot është dita e dytë e Epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjatë ditës, homazhe kanë bërë edhe krerët opozitarë në Kosovë dhe qytetarë të shumtë nga vise të ndryshme.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025