“Tërë ditën u vonua dhe nuk erdh”, rrëfen Aliu për vëllain e tij të cilin e pret që nga 28 marsi i vitit 1999. Vuajtjet që ka përjetuar këto 25 vjet, ai thotë se nuk ja uron as armikut. Me sy të përlotur rrëfen për vëllain 29 vjeçar, Skender Havollin, të cilin për herë të fundit e pa Ditën e Bajramit. Aliu rrëfen se për të nuk ka pasur më festa e as gëzime, megjithatë thekson se shpresat nuk i ka humbur. Në rrëfimin për KosovaPress, burri rreth të shtatëdhjetave flet i zhgënjyer me punën që kanë bërë autoritetet vendore në procesin e zbardhjes së fatit të të pagjeturve. Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur thotë se po insistojnë që Serbia të jap informacione, megjithatë kryetari Andin Hoti thotë se dyshon që Bashkimi Evropian e ka seriozisht çështjen e personave të zhdukur.
Ali Havolli nga Fushë Kosova çdo ditë pret ndonjë informacion për vëllain e tij, i cili u morr nga tre serbë të maskuar.
Me zhgënjim flet edhe për punën e institucioneve vendore, derisa në duar mban fotografinë e Skenderit, si të vetmen shenjë nga ai.
Për mbi 1600 të zhdukurit, Ahmet Grajqevci nga Këshilli Koordinues i Familjarëve të Personave të Pagjetur, thotë se Serbia i dinë vendndodhjet e tyre.
Më shumë se një vit janë bërë prej miratimit të deklaratës për personat e pagjetur, por kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Andin Hoti deklaron se nuk është ndërmarrë asnjë hap i vetëm.
Mbi 1600 persona konsiderohen ende të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.