Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar nisjen e bombardimeve ajrore të NATO-s ndaj caqeve të forcave okupuese të kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviq 25 vjet më parë. Ai ka shkruar në Facebook se teksa aeroplanët e NATO-s filluan bombardimin e caqeve serbe si përgjigje ndaj krimeve të Serbisë në Kosovë, kriminelët serbë vranë në Mitrovicë kryesindikalistin Agim Hajrizi, politikanin Latif Berisha e në Prishtinë avokatin Bajram Kelmendi.
“Agim Hajrizi, sindikalisti i paepur, kryetari i Kuvendit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, kryetar i organizimit komunal në Mitrovicë në vitet e '90-ta, u vra në shtëpinë e tij, bashkë me nënën Nazmije dhe të birin 11-vjeçar, Ilirin. Latif Berisha, politikan e intelektual, kryetar i LDK-së në Mitrovicë, profesor universitar i historisë së letërsisë shqipe e autor i shumë studimeve, udhëheqës i pajtimit të gjaqeve, u vra nga forcat serbe në prag të shtëpisë së tij në Mitrovicë, në natën e 24 marsit. Bajram Kelmendi, juristi i shquar dhe avokat aktiv në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, u rrëmbye nga shtëpia bashkë me dy djemtë e tij, Kastriotin dhe Kushtrimin, nga policët serbë që i hynë dhunshëm në shtëpi në natën e 24 marsit 1999. Më 26 mars, ata u gjetën të vrarë. Vepra e tyre nuk shlyhet prej kujtesës. E përkujtojmë dhe e ruajmë historinë e aktivizmit intelektual dhe angazhimit politik të veprimtarëve tonë ndër breza. Lavdi të gjithë atyre që u vranë nga Serbia pushtuese, në rrugëtimin tonë për lirinë e Kosovës.”