Sot bëhen 25 vjet nga rënia heroike e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilaz Kodra, i cili ka qenë pjesë e celulave të para të UÇK-së dhe pjesëmarrës i të gjitha luftërave në Drenicë dhe rrethinë.
Ilaz Ismajl Kodra u lind më 3 maj 1966 në lagjen Kodra të Prekazit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa tetëvjeçaren dhe shkollën e mesme, Gjimnazin, i ka kryer në Skenderaj. Pas kryerjes së shkollës së mesme, regjistrohet në Shkollën e Lartë Komerciale në Pejë. Shërbimin e detyrueshëm ushtarak e ka kryer në Slloveni.
Edhe Ilazi, ashtu si më parë Adem dhe Hamëz Jashari kishin mendime identike lidhur me nevojën e fillimit të luftës së armatosur, në kohën kur po shihej mirëfilli se Jugosllavia do të shpërbëhej dhe kur tashmë kishte filluar shkatërrimi i saj me ndarjen e Sllovenisë dhe me fillimin e luftës në Kroaci e më vonë edhe në Bosnje e Hercegovinë.
Ilaz Kodra mbante kontakte ilegaliteti me komandantin Adem Jashari dhe me pjesëtarët e bërthamës së parë çlirimtare të Drenicës. Ata, në vitin 1991 kishin kaluar kufirin edhe ishin futur ilegalisht në Shqipëri, me qëllim për t’u stërvitur dhe për t’ u armatosur.
Pas betejës së Adem Jashari dhe të Jasharëve të tjerë në Prekaz më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, bashkëluftëtarët e komandantit vazhdojnë veprimet luftarake duke e zgjeruar UÇK-në po thuajse në çdo fshat të kësaj ane.
Ilaz Kodra, Fehmi Lladrovci, Abedin Rexha e të tjerë ishin kthyer në Drenicë së bashku me familjet e tyre. Po ashtu, frontet e luftës ishin zgjeruar edhe në Dukagjin, Anadrin, Neredime, në Shalë e në Llap.
Pas rënies së Fehmi Lladrovcit dhe Xheva Krasniqit-Lladrovci më 22 shtator 1998, Ilaz Kodra u caktua komandant i kësaj brigade, e cila mori emrin e komandantit të saj të parë, Fehmi Lladrovci.
Rrezja e veprimit luftarak e Brigadës 114, “Fehmi Lladrovci” e Zonës Operative të Drenicës shtrihej në një pjesë të Qyqavicës, prej Kronit të Mbretit, në Vasilevë në Drenas, Verboc Shtuticë, Baks, Qirez, Morinë, Dashevc, Prekaz, Polac, Prelloc, Skenderaj e deri në Tërnac.
Me të marrë lajmin se forcat serbe po bënin përpjekje të mësynin popullatën civile në fshatin Verboc e Shtuticë, Ilaz Kodra niset për t i shkuar në ndihmë popullatës.
Herët në mëngjes fillon sulmi i forcave armike, të cilat kishin rrethuar vendi në formë patkoi. Ilaz Kodra ka luftuar fyt për fyt kundër forcave serbe. Ai ra në altarin e lirisë më 30 prill 1999, në fshatin Shtuticë”.