23 vjet më parë në Kosovë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara.
Kjo ngjarje sot do të shënohet me aktivitete të shumta në kryeqytet dhe në komuna të tjera, si homazhe nga krerët shtetërorë te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, veprimtarit Adem Demaçi, Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari, nderim te Pllaka Përkujtimore e ushtarëve të rënë të NATO-s gjatë shërbimit në operacionin e KFOR-it në Kosovë.
Më 12 qershor 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze.
E vlerësuar nga ata që e përjetuan si ditë e çlirimit dhe si një ndër ditët më të mëdha të historisë së Kosovës, 12 qershori, ndonëse jo e njohur edhe si festë zyrtare, është një ditë kur nga ushtarakë dhe diplomatë botërorë do të mbahet mend si një ditë gati konfrontimi midis Perëndimit dhe Rusisë, një ditë siç thuhej, ‘që do të mund të niste Luftën e Tretë Botërore.’
Rusia synonte prurjen e mijëra përforcimeve nga ajri, mirëpo pas intervenimit nga Washingtoni, Bullgaria, Hungaria dhe Rumania refuzuan kërkesën e Moskës për shfrytëzimin e hapësirës së tyre ajrore.
Pas bllokadës amerikano-britanike të pistës së aeroportit, ministria e Jashtme ruse e quajti ndërhyrjen e ushtarëve të saj ‘një gabim.’ Dhe çdo gjë tjetër tashmë është histori. Hyrja e NATO-s ktheu në Kosovë mbi një milionë shqiptarë.
Deri tash kanë shërbyer në Kosovë afër 500 mijë pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të shumë vendeve, kryesisht atyre perëndimore, duke qenë larg familjeve dhe më të dashurve të tyre dhe duke sakrifikuar edhe nga një pjesë të jetës për lirinë, sigurinë dhe paqen në Kosovë.