Presidenti George W. Bush është bërë presidenti i parë në detyrë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që ka vizituar Shqipërinë.
Ai dhe bashkëshortja e tij, Laura janë pritur në aeroportin e Rinasit nga ministri i Jashtëm shqiptar në atë kohë, Lulzim Basha dhe nga deputetët Bamir Topi e Ben Blushi.
Presidenti amerikan në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e atëhershëm, Sali Berisha, ka vlerësuar nivelin e lartë të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe SHBA-së.
Po ashtu, presidenti ka thënë se beson se plani i të dërguarit të posaçëm të OKB-së, Marti Ahtisaari, për pavarësi të mbikëqyrur, është zgjidhja e duhur për Kosovën. Ai është shprehur se do të punojë për të bindur gjithë vendet e Këshillit të Sigurimit dhe Serbinë për këtë gjë.
"Shpreha dëshirën që Shqipëria të hyjë në NATO, unë jam përkrahës i kësaj dëshire", ka thënë presidenti amerikan.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, Bush ka folur para trupave shqiptare, një shprehje mirënjohje kjo për Shqipërinë që ka kontribuar ushtarakisht në Afganistan dhe Irak.
Ai ka inkurajuar politikanët shqiptarë të punojnë së bashku për të plotësuar standardet e anëtarësimit në NATO.
"Politikanët duhet të punojnë së bashku për të arritur këto standarde, të lënë mënjanë ndryshimet politike”, ka nënvizuar ai.
Presidenti amerikan, George Bush ka mbërritur në Tiranë në vizitën e parë të një presidenti amerikan në Shqipëri./KosovaPress