Eksportet e bujqësisë arrijnë vlerën deri në 150 milionë euro, e vetëm në sektorin e përpunimit të frutave dhe perimeve janë të punësuar 2500 persona. Kështu u tha në tryezën e mbajtur në kuadër të projektit “Sired” me temën “Roli i mediave në promovimin e agrobizneseve të grave në sektorin e përpunimit të frutave dhe perimeve”, ku u kërkua që ky sektor të trajtohet me prioritet. Po ashtu, u tha se grave duhet tu jepet hapësirë që të promovojnë punën e tyre të madhe që po bëjnë në zonat rurale.
Drejtori i Shoqatës së Përpunimit të Pemëve dhe Perimeve (PePeKo), Hartim Gashi ka thënë se qasja në media e këtyre bizneseve është shumë e vështirë.
Më tej, në këtë tryezë të organizuar u tha se hapësira është e kufizuar dhe është e domosdoshme që të promovohet puna e vështirë e grave në këtë sektor.
Daniela Çoçaj nga "Ecokos Ëomen" kërkoi që tu jepet hapësirë grave në zona rurale, të cilat po punojnë me mund dhe sakrificë.
Shqipe Murseli nga kompania “Tradita jonë” ka folur për vështirësitë për punësim, përkundër që kërkesat janë të mëdha.
“Ne e kemi një problem që gratë po duan të punojnë, por kur po i ftojmë ne të punojmë ato nuk po duan të punojnë. Ndoshta edhe pak që nuk po kemi emisione që të inspirojmë. Është mirë që të ketë emisione për bujqësinë që me i inspiru edhe gratë tjera”, ka thënë Murseli.
Sefedin Haxhia nga Caritasi Zviceran ka theksuar se bujqësia duhet të trajtohet si prioritet.
“Prioritetin e bujqësisë me ngrit më lartë, sepse realisht është prioritet. Kur gjithçka ka qenë e mbyllur, ne gjithë jemi ushqyer dhe bujqësia ka punuar dhe është dashur të punojë. Kështu që është prioritet”, ka përfunduar Haxhia.