Ishte viti 1999 ku nisi çarmatimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për t’u shndërruar më vonë në Trupat Mbrojtëse të Kosovës.
Nuk shkoi shumë dhe në vitin 2000 përfundon edhe transformimi i UÇK-së në TMK.
Udhëheqësi i parë i TMK-së u emërua gjenerallejtënant, Agim Çeku. Sipas marrëveshjes, detyrat dhe të drejtat e TMK-së në atë kohë ishin veprimi për ndalimin dhe zvogëlimin e dëmeve nga katastrofat natyrore dhe aksidentet, ofrimi i ndihmës në zona të rrezikuara, ndihma në pastrimin e fushave të minuara, ndihma për ri-ndërtimin dhe komunitetet, raporton KP.
TMK u themelua në kohën e fillimit të organizmit institucional të vendi që po ndodhnin jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, e cila rritej e forcohej, por në kushte jo të mira dhe paga të ulëta.
“Do të krijohet një forcë e re, profesionale dhe shumë-etnike për sigurinë e Kosovës, e cila do të jetë e armatosur lehtë dhe do të jetë e aftë të mbulojë nevoja të caktuara të sigurisë sipas Shtesës VII të kësaj marrëveshjeje. Trupat Mbrojtëse të Kosovës, pasi e arritën qëllimin e tyre, duke përfshirë këtu lehtësimin e rindërtimit pas lufte të Kosovës, ato do të shpërndahen një vit pas miratimit të kësaj marrëveshjeje”, shkruhej në Planin e Ahtisaari-t.
Por, më 2009 kjo forcë prapë u shpërbë për t’u shndërruar në një forcë tjetër, tash Forca e Sigurisë së Kosovës.
Më 4 mars 2014, Qeveria e Kosovës mori vendimin që të formohen Forcat e Armatosura të Kosovës, si ushtri e Kosovës, e cila parashihet t’i mbërrijë kapacitetet që të mund të sigurojë integritetin e Kosovës.
Më 14 dhjetor 2018, Parlamenti i Kosovës me 106 vota pro dhe një abstenim, miratoi tri ligjet që e ndryshojnë mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të Kosovës, por pa iu ndërruar emri.