Mic Sokoli u lind në vitin 1839 në Fang të Bujanit, Tropojë dhe ra heroikisht në vitin 1881. Ishte luftëtar i shquar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Hero i Popullit.
Mic Sokoli rrjedh nga një familje patriotësh. Udhëhoqi njësi të mëdha luftarake të Lidhjes në shumë beteja. U shqua për strategji, gatishmëri dhe trimëri. Mori pjesë aktive në luftimet në Shkup, Prizren, Ferizaj, Gjilan, Gjakovë kundër Mehmet Ali Pashës, u dallua në betejën e Nokshiqit kundër agresorëve malazezë, luftoi në Plavë e Gucia, Hot, Grudë, Tuz. Pastaj në Rrafshin e Kosovës në betejën e madhe të Shtimes, të Carralevës dhe së fundmi në atë të Slivovës ku ra edhe heroikisht.
Mici ra heroikisht në moshën 42 vjeçare, duke lënë pas gruan dhe dy fëmijë - një djalë dhe një vajzë. Më shumë se një shekull më pas, një nip i tij e vazhdoi aty ku e la Mici - aty ku e ndërpreu Lidhja Shqiptare. Ai kishte trashëguar nga gjenet e Micit trimërinë dhe shkathtësinë ushtarake. Nipi i Mic Sokolit, ra dëshmor duke luftuar për bashkim kombëtar dhe quhet Tahir Sinani.
Shumë ngjarje dhe luftëtarë të Epokës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u përjetësuan përmes epikës historike, por vendin e parë e zë Mic Sokoli, prijësi i Krasniqes, biri i Sokol Ramës nga Malësia e Madhe. Heroizmi i pashoq i Micit u kthye në legjendë, dhe këngët për të jehuan nëpër vite duke mbërritur deri te ne. /KosovaPress/