141-vite nga rënia heroike e Mic Sokolit
Lexohet për: 2 min.
mic-sokoli
2 vite më parë
Linku u kopjua

?Mic Sokoli lindi në vitin 1839 në Fang të Bujanit, Tropojë dhe ra në vitin 1881. Ishte luftëtar i shquar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Hero i Popullit.

Mic Sokoli rrjedh nga një familje patriotësh. Udhëhoqi njësi të mëdha luftarake të Lidhjes në shumë beteja. u shqua për strategji, gatishmëri dhe trimëri. Mori pjesë aktive në luftimet e Shkupit, Prizrenit, Ferizajt, Gjilan, në Gjakovë kundër Mehmet Ali Pashës, u dallua në betejën e Nokshiqit kundër agresorëve malazezë, luftoi në Plavë e Gucia, në Hot, Grudë, Tuz. Pastaj në rrafshin e Kosovës në betejën e madhe të Shtimes, të Carralevës dhe së fundmi në atë të Slivoves nga ku dhe ra heroikisht.

Në betejën e Slivovës në afërsi të Shtimes, në prill 1881 kundër forcave osmane të Dervish Pashës kreu një akt trimërie të rrallë, duke i vënë gjoksin topit të armikut dhe ra heroikisht në fushën e betejës duke frymëzuar të gjithë luftëtarët e tjerë të vazhdojnë luftën me trimëri e krenari.

Mici ra heroikisht në moshën 42-vjeçare, duke lënë pas gruan dhe 2 fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Më shumë se një shekull më pas, po një nip i tij e vazhdoi aty ku e la Mici, aty ku e ndërpreu Lidhja Shqiptare. Ai kishte trashëguar nga gjenet e Micit trimërinë dhe shkathtësinë ushtarake. Nipi i Mic Sokolit, ra dëshmor duke luftuar për bashkim kombëtar dhe quhet Tahir Sinani.

Shumë ngjarje dhe luftëtarë të Epokës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u përjetësuan përmes epikës historike, mirëpo vendin e parë e zë Mic Sokoli, prijësi i Krasniqes, biri i Sokol Ramës nga Malësia e Madhe. Heroizmi i pashoq i Micit u kthye në legjendë, dhe këngët për të jehuan nëpër vite duke mbërritur deri tek ne.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024