Fruthi shkaktoi vdekjen e 12 fëmijëve në qytetin perëndimor indian të Mumbait dhe zonat përreth, informuan autoritetet.
Vdekja e parë është raportuar rreth datave 26-27 tetor, kur tre fëmijë kanë vdekur brenda 48 orëve.
Autoritetet thanë se një përpjekje e ngadaltë e vaksinimit mes pandemisë Covid ka kontribuar në rritjen e infeksioneve.
Vdekja e fundit e raportuar, të martën, ishte e një foshnjeje tetë muajshe, e cila ishte imunizuar pjesërisht, informoi organi lokal komunal.
Sëmundja, e cila shkakton kollë, skuqje dhe temperaturë, mund të parandalohet me dy doza të vaksinës MMR.
Ka pasur disa shpërthime të mëdha në të gjithë Evropën, ku marrja e vaksinës MMR ka qenë e ulët.
Përveçse shkakton një skuqje të veçantë, fruthi mund të çojë në komplikime të rënda si në pneumoni dhe inflamacion të trurit dhe ndonjëherë mund të jetë fatal.
Vaksinimi mund të largojë pothuajse të gjitha këto rreziqe, shkruan BBC, përcjell KosovaPress
Por, që nga fillimi i pandemisë Covid, ka pasur një rënie shqetësuese të numrit të fëmijëve që marrin këto vaksina në kohë.
Autoritetet në Mumbai thanë se rreth 20,000 fëmijë nuk e kanë marrë vaksinën kundër fruthit në kohë për shkak të pandemisë.