1100 të dënuar përfitojnë nga amnistia penale në Shqipëri
Lexohet për: 2 min.
7 muaj më parë
Linku u kopjua

Sot në Kuvendin e Shqipërisë u miratua Projektligji për Amnistinë Penale, me 116 vota pro, një kundër dhe një abstenim. Ligji për amnistinë, i cili kërkonte shumicë të cilësuar, u miratua me votat e shumicës socialiste dhe opozitës së grupimit Berisha-Bardhi. Kundër ka votuar vetëm deputeti Agron Shehaj, ndërsa deputetja Ermonela Felaj abstenoi. Në seancën e sotme kryeparlamentarja Lindita Nikolla bëri me dije se për këtë projektligj janë paraqitur amendamente nga dy deputetët demokratë Gazment Bardhi dhe Enkelejd Alibeaj.

Kuvendi miratoi edhe amendamentin e Gazment Bardhit për amnistinë me 111 vota pro, tri kundër dhe një abstenim. Në këtë amendament është kërkuar që të përfshihen në amnisti protestuesit e PD-së të dënuar, nën hetim apo të proceduar deri në datën 31 mars 2024. Amendamenti i Enkelejd Alibeajt nuk u miratua, pasi mori tetë vota pro, 72 kundër dhe dy abstenime. Sapo ligji të botohet në Fletoren Zyrtare, Amnistia Penale do t’u jep liri 700 të dënuarve. Nga ky ligj përfitojnë 1.100 të dënuar dhe të paraburgosur, ku krahas 700 të dënuarve, 400 të tjerët do të përfitojnë ulje dënimi nga 1.5-2 vjet burg.

Amnistia Penale është një nga çështjet më të diskutuara, ajo është depozituar në Kuvend në dhjetor 2023, por mos pajtimi mes palëve bëri që votimi i draftit të shtyhej për tre muaj. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tha në fjalën e tij në Kuvend se nga amnistia do të përfitojnë edhe protestuesit e opozitës, ndërsa theksoi se nuk përfitojnë prej saj personat e dënuar me burgim të përjetshëm, të dënuarit nga GJKKO dhe ata të akuzuar që janë në arrati. /EuronewsAl

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024