108 vjet nga vrasja e Isa Boletinit
Lexohet për: 3 min.
auto_unnamed1674454595
10 muaj më parë
Linku u kopjua

Isa Boletini, udhëhoqi forcat kryengritëse për çlirim nga pushtuesi Osman më 1912, u ndodh përkrah Ismail Qemalit në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, e cila u copëtua në Konferencën e Londrës më 1913.

Isa Boletini u lind në Boletin të Mitrovicës, në një familje me tradita patriotike. Në moshën 17-vjeçare mori pjesë si luftëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në betejën e Slivovës (22 prill 1881) kundër forcave osmane. Përkrahu Haxhi Zekën dhe atdhetarët e tjerë në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës (1899-1900) dhe në qëndresën e saj kundër sunduesve osmanë e qarqeve shoviniste fqinje.

Më 1901-1902 u vu në krye të qëndresës popullore në Kosovë kundër ndërhyrjeve të Serbisë, Malit të Zi, Rusisë e Austro-Hungarisë në Shqipëri. Udhëhoqi luftëtarët në betejat e zhvilluara me ushtrinë turke në zonat Shtime-Carralevë më 1910, mbështeti kryengritjen antiosmane të vitit 1911, udhëhoqi forcat kryengritëse në zonën Drenicë, Mitrovicë, Podujevë dhe Prishtinë më 1912.

Gjatë Luftës Ballkanike në tetor 1912, u vu në krye të çetave të armatosura vullnetare për mbrojtjen e trojeve shqiptare kundër pushtuesve serbë. Në ditët e Pavarësisë, në krye të përfaqësuesve të Kosovës, u ndodh përkrah Ismail Qemalit në Vlorë dhe mori pjesë aktive në organizimin e forcave të armatosura për mbrojtjen e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës.

Më 1913, si anëtar i delegacionit shqiptar, së bashku me Ismail Qemalin shkoi në Londër, ku protestoi me forcë kundër vendimit të Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë. Më vonë, Isa Boletini kaloi përsëri në Kosovë, ku organizoi qëndresën popullore kundër pushtuesve të rinj serbo-malazezë.

Duke e kaluar jetën në luftë e përpjekje dhe me urtësinë e tij, fitoi autoritet të madh si udhëheqës popullor. Isa Boletini e lidhi jetën e tij e të familjes me fatin e atdheut, dashurinë e besnikërinë ndaj të cilit e shprehu me fjalët “Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia”.

Isa Boletini ishte bërë i njohur edhe për atë që i kishte ndodhur në Londër, kur edhe pas kontrollit që i kishin bërë rojat kur hyri për të takuar ministrin e jashtëm, Eduard Grej, ai ia kishte dalë që njërin revolver ta fuste brenda. Grej kishte bërë shaka me Boletinin duke i thënë se “atë që se bëri ushtria osmane, e bëra unë”.

Më 23 janar 1916 u vra pabesisht nga shovinistët malazezë në Podgoricë, së bashku me të bijtë Halilin dhe Zahidin, nipërit Jonuzin dhe Halitin, si dhe tre luftëtarë të tjerë.

Në korrik 2011, mbetjet mortore të Isa Boletinit dhe të bashkëluftëtarëve të tij, iu dorëzuan Komunës së Mitrovicës. Ato ia dorëzoi imami i kësaj komune, Mulla Asllan Murati, i cili 13 vjet pas rivarrimit nga Podgorica i ruajti në një vend të fshehur.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024