Isa Boletini, udhëhoqi forcat kryengritëse për çlirim nga pushtuesi Osman më 1912, u ndodh përkrah Ismail Qemalit në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, e cila u copëtua në Konferencën e Londrës më 1913.
Isa Boletini lindi në fshatin Boletin të Mitrovicës, në një familje me tradita patriotike. Në moshën 17 vjeçare mori pjesë si luftëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në betejën e Slivovës (22 prill 1881) kundër forcave osmane. Përkrahu Haxhi Zekën dhe atdhetarët e tjerë në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës (1899-1900) dhe në qëndresën e saj kundër sunduesve osmanë e qarqeve shoviniste fqinje.
Gjatë Luftës Ballkanike në tetor 1912, u vu në krye të çetave të armatosura vullnetare për mbrojtjen e trojeve shqiptare kundër pushtuesve serbë. Në ditët e Pavarësisë, në krye të përfaqësuesve të Kosovës, u ndodh përkrah Ismail Qemalit në Vlorë dhe mori pjesë aktive në organizimin e forcave të armatosura për mbrojtjen e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës.
Më 1913, si anëtar i delegacionit shqiptar, së bashku me Ismail Qemalin shkoi në Londër, ku protestoi me forcë kundër vendimit të Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë. Më vonë, Isa Boletini kaloi përsëri në Kosovë, ku organizoi qëndresën popullore kundër pushtuesve të rinj serbo-malazezë.
Isa Boletini ishte bërë i njohur edhe për atë që i kishte ndodhur në Londër, kur edhe pas kontrollit që i kishin bërë rojat kur hyri për të takuar ministrin e jashtëm, Eduard Grej, ai ia kishte dalë që njërin revolver ta fuste brenda. Greji kishte bërë shaka me Boletinin duke i thënë se “atë që se bëri ushtria osmane, e bëra unë”.
Më 23 janar 1916 u vra pabesisht nga shovinistët malazezë në Podgoricë, së bashku me të bijtë Halilin dhe Zahidin, nipërit Jonuzin dhe Halitin, si dhe tre luftëtarë të tjerë.