Bankave shkollore vitin e kaluar u munguan rreth 100 nxënës të arsimit fillor. Ani pse arsim i obligueshëm, shumë vajza e djemë nuk arritën të përfundojnë as nëntë-vjeçaren. Numër më i madh i braktisjes u regjistrua në arsimin e mesëm të lartë. 900 nxënës të tjerë të Kosovës nuk vijuan shkollimin gjatë vitit 2020-2021. Madje, në këtë periudhë Kosova regjistroi 12 mijë nxënës më pak. Kjo më së shpeshti po ndodhë për shkak të kushteve jo të mira ekonomike, ku fëmijët po detyrohen të punojnë, ani pse është shkelje e të drejtave të fëmijëve. Në raste të tjera, vajzat detyrohen të lënë shkollimin, numër i madh evidentohet te komunitet. Nga ministria po kërkohet që të punojnë në parandalimin e raste të tilla, ndërkaq nga vet ky institucion thonë se kanë hartuar politika në parandalim e rikthim të nxënësve.
Koordinatorja për të drejtat e njeriut në Ministrinë e Arsimit, Merita Jonuzi tregon se shifrat e rasteve të braktisjes së shkollave kanë rënë, por vjetëve të fundit ka edhe rënie të natalitetit.
Faktorët social e ekonomik janë kryesorët që po ndikojnë në braktisjen e shkollimit. Por, kjo po ndryshon varësisht nga komunat në Kosovë.
Përveç braktisjes së tërësishme të shkollave, problem për shumë nxënës mbesin edhe mungesat e shumta.
“Kemi ende raste të shumta që nxënësit vazhdojnë të mos gjejnë përshtatshmëri të nevojshme për t’iu rikthyer sistemit arsimor dhe ka mungesa të shumta. Mendoj se si fenomen ende kemi problemi të shumta me mungesat e shumta më tepër se sa me mungesë totale. Mirëpo, në arsimin e obligueshëm këta që kanë mungesa të shumta duhet të iu mundësojë shkolla, jemi të obliguar me ligj, t’iu mundësohet që arsimin e obligueshëm ta përfundojmë edhe me provime klasore”, deklaron Shahini.
Në vend gjithmonë e më pak ka numër të nxënësve në shkolla, por shkak është edhe migrimi.
“Ne si koalicion konsiderojmë se kjo është shkelje e të drejtave të fëmijëve, sepse e drejta për arsim është e drejtë e garantuar me të gjitha instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Madje, edhe me legjislacionin në Kosovë edhe përmes kushtetutës dhe të gjiytha ligjeve të tjera, nuk është vetëm e drejtë por edhe obligim i të gjithë personave dhe shoqërisë që fëmijëve t’iu mundësojmë dhe t’iu garantojmë shkollim falas. Sipas të dhënave të ASK-së në bashkëpunim me UNICEF, raporti i fundit tregon se braktisja e shkollave vazhdon të mbes një problem sidomos te komunitetet romë, ashkalinj, egjiptianë. Ku 84 për qind e fëmijëve të komuniteteve ndjekin shkollat fillore... 64 për qind e ndjekin shkollën e mesme të lartë, ndërkaq 31 për qind e ndjekin shkollën e mesme të ulët”, shprehet Bukureza Surdulli.
Një nga grupet e cenueshme në arsim janë edhe fëmijët me aftësi të kufizuara.
Në bazë të dhënave të ministrisë, 63 meshkuj dhe 46 femra në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët kanë ndërprerë shkollimin. Por, nga Këshilli Rinor Kosovar (KYC) thonë se femrat mbesin më të ‘përjashtuarat’ në arsim.
Hekuran Meta nga kjo organizatë deklaron se nga raportimet në organizatën e tyre kanë evidentuar disa faktorë që po ndikojnë në braktisjen e shkollave.
Merita Jonuzi nga Ministria e Arsimit shprehet se kanë krijuar sistem të identifikimit të hershëm të problemit të braktisjes. Sipas saj, ekipet në terren po punojnë në parandalimin dhe kthimin e nxënësve në banka shkollore.
“Ekipet po punojnë, dikush më mirë, dikush më dobët. Ne jemi duke punuar ngushtë si ministri për të ngritur kapacitetet e të gjithëve në terren për t’i zbatuar mirë këto politika në mënyrë që të gjithë fëmijët në Kosovë, pa dallim gjinie, etnie apo rrethane tjetër të jenë përfitues të sistemit arsimor. Dhe të zhvillohen brenda potencialit të plot, për aq sa ata kanë potencial”, përfundoi ajo.