10 mijë njerëz në vit mund të vdesin si pasojë e valëve të të nxehtit në Britani
Lexohet për: 2 min.
temperatura
10 muaj më parë
Linku u kopjua

Deri në 10.000 njerëz në vit në Britaninë e Madhe  mund të vdesin si pasojë e valëve të të nxehtit nëse nuk bëhet asgjë, kanë paralajmëruar deputetët.

Sipas një raporti nga Komiteti i Auditimit të Mjedisit, frekuenca e shtuar e ngjarjeve ekstreme të nxehtësisë mund t'i kushtojë ekonomisë gjithashtu 60 miliardë funte në vit.

Kryetari konservator i komisionit, deputeti Philip Dunne, i kërkoi qeverisë të veprojë, sepse "ka shumë punë që duhet bërë".

Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar lëshoi alarmin e saj të parë të nxehtësisë 'niveli 4' në korrik të vitit 2022, kur u regjistrua për herë të parë temperatura 40 gradë Celsius.

Ndërsa globalisht, viti 2023 u konfirmua si viti më i nxehtë i regjistruar me një diferencë të konsiderueshme.

"Është këtu, është një rrezik i pranishëm dhe po na vjen shumë shpejt. Ne kemi nevojë për një plan tani. Sa më shumë ta vonojmë, aq më shumë do të jemi në rrezik”, tha Dune për Sky News.

Sipas Zyrës së Statistikave Kombëtare, ka pasur rreth 4.500 vdekje të lidhura me nxehtësinë në vitin 2022.

Por deputetët thonë se norma vjetore mund të rritet në 10.000 deri në vitin 2050 nëse nuk ka ndërhyrje.

Nxehtësia ekstreme rrit presionin e gjakut dhe rrahjet e zemrës, duke rritur rrezikun e sëmundjes ose vdekjes të shkaktuar nga dehidratimi dhe goditja nga nxehtësia.

Moshat mbi 65-vjeç dhe ata me kushte ekzistuese janë më të rrezikuarit, ndërkohë që ka ndikime edhe në shëndetin mendor.

Komiteti dëgjoi prova se rreziku i vetëvrasjes në Mbretërinë e Bashkuar është dy herë më i lartë kur temperatura është 32 gradë dhe jo 22 gradë Celsius.

Raporti rekomandon që Zyra Met duhet t'i emërtojë valët e të nxehtit në të njëjtën mënyrë si stuhitë për të ndihmuar në rritjen e ndërgjegjësimit për kërcënimet.

Ekspertët e ndryshimeve klimatike pajtohen se perceptimet publike duhet të ndryshohen urgjentisht. /Sky News

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024