Zidane pas emërimit te Franca: Kisha oferta nga klube të ndryshme, por i refuzova të gjitha
5-Fifth
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Zidane pas emërimit te Franca: Kisha oferta nga klube të ndryshme, por i refuzova të gjitha
Zinedine Zidane ka folur pas emërimit të tij si trajner i ri i Kombëtares së Francës, duke e cilësuar këtë detyrë si një ëndërr të realizuar dhe një përgjegjësi të madhe.
Legjenda franceze tha se për vite me radhë ka pasur vetëm një dëshirë, të drejtojë ekipin kombëtar.
“Për mua është një vazhdimësi, një ëndërr. Gjatë pesë viteve që isha larg trajningut pata oferta nga klube të ndryshme, por i refuzova të gjitha për Kombëtaren e Francës. Ishte e vetmja gjë që dëshiroja”, deklaroi Zidane.
Ish-trajneri i Real Madridit u shpreh i emocionuar për mundësinë që të drejtojë skuadrën me të cilën shkroi histori si futbollist.
“Kam shumë emocione, jam gati për këtë sfidë. Kjo është ajo që më motivon”, tha ai.
Zidane theksoi se synimi i tij është të udhëheqë Francën drejt sukseseve të reja dhe se do të japë maksimumin në këtë rol.
“Sot kam mundësinë të jem në krye të kësaj skuadre dhe do të jap gjithçka që kjo kombëtare të fitojë”, u shpreh ai.
Ai gjithashtu vlerësoi punën e Didier Deschamps, i cili përfundoi një periudhë 14-vjeçare në drejtimin e Francës, duke fituar Kupën e Botës në vitin 2018.
“Dua ta përgëzoj Deschamps për këto vite të jashtëzakonshme. Ai ka bërë një punë të madhe”, deklaroi Zidane.
Zidane do ta nisë aventurën e tij si përzgjedhës i Francës në Ligën e Kombeve, ku ndeshjen e parë do ta zhvillojë ndaj Turqisë më 25 shtator.
KosovaPress