Bleart Tolaj ka reaguar publikisht për herë të parë pas konfuzionit të krijuar tri ditë më parë rreth së ardhmes së tij, kur fillimisht Gjilani njoftoi zyrtarisht transferimin e sulmuesit, ndërsa vetëm pak minuta më vonë Ballkani publikoi se kishte vazhduar kontratën me futbollistin.
Përmes një deklarate, Tolaj ka sqaruar se zyrtarisht është lojtar i Gjilanit, duke theksuar se është i lumtur për këtë hap në karrierën e tij dhe i përkushtuar për të dhënë maksimumin me fanellën e klubit. Ai njëkohësisht pranoi përgjegjësinë për paqartësitë e krijuara.
Sulmuesi bëri të ditur se Ballkani, duke pasur parasysh situatën e krijuar dhe interesin për vazhdimësinë e karrierës së tij, ka treguar mirëkuptim duke e liruar, për çka shprehu mirënjohje ndaj klubit, drejtuesve, stafit, bashkëlojtarëve dhe tifozëve.
Ai konfirmoi se, me dakordimin e të gjitha palëve, do ta ndihmojë Ballkanin në dy ndeshjet e ardhshme të Conference League, ndërsa pas përfundimit të këtij angazhimi do t'i bashkohet plotësisht Gjilanit.