Plagosje në veri, demantohen mediat serbe: PK s’është përfshirë në asnjë rast të gjuajtjes me armë
Siguri
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Policia e Kosovës përmes një njoftimi në Facebook ka bërë të ditur se asnjë zyrtarë policorë i këtij institucioni të sigurisë nuk është përfshirë në ndonjë rast të gjuajtjes me armë zjarri në veri të vendit, duke demantuar kështu raportimet e disa mediave serbe.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se mbrëmjen e së hënës (ora 23:48) ka pranuar një informacion lidhur me dyshimet për plagosje me armë zjarri, të një personi në veri të vendit.

“Njësitet relevante policore kanë ndërmarrë veprimet e menjëhershme policore lidhur me hetimin dhe verifikimin e informacionit të pranuar, duke përfshirë edhe dërgimin e një njësie policore në spitalin e Mitrovicës Veriore. Nga aty kanë pranuar informacione se gjendet duke u trajtuar një person, i cili dyshohet se është plagosur në krahror nga arma e zjarrit, por që deri më tani ende nuk dihen rrethanat dhe shkaqet e plagosjes së tij”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se, Policia e Kosovës është duke kryer hetime intensive, me qëllim të zbardhjes sa më parë të këtij rasti.

“Vlen të potencojmë dhe njëherësh të sqarojmë se, Policia e Kosovës nuk është përfshirë në asnjë rast të shkëmbimit apo të gjuajtjes me armë zjarri ndaj asnjë grupi apo personi të caktuar. Andaj edhe shkrimet, apo pyetjet e adresuara Policisë së Kosovës nga disa mediume serbe, se kinse Policia e Kosovës është përfshirë, apo në formën e pyetjes se a është përfshirë në gjuajtje me armë dhe plagosje të një personi te ura e Bistricë në komunë të Leposaviqit, ju informojmë dhe njëherësh ritheksojmë se Policia e Kosovës, nuk është përfshirë në asnjë rast të shkëmbimit apo gjuajtjes me armë zjarri, në asnjë lokacion në veri të Kosovës, përfshirë edhe lokacionin e apostrofuar”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Policia e Kosovës ka ftuar mediat që për informacione zyrtare t’i adresohen këtij institucioni të sigurisë.

“Andaj, bazuar në informacionet zyrtare, vërtetohet se Policia e Kosovës nuk është përfshirë në asnjë rast të gjuajtjes me armë zjarri, dhe mbetet e përkushtuar në hetimin dhe ndriçimin sa më parë të rastit të personit të plagosur i cili gjendet duke u trajtuar në qendrën spitalore në Mitrovicë të Veriut, ku sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetë”, thuhet po aty.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024