​PE debaton për zgjedhjet në Serbi, rezoluta do të miratohet në shkurt
Rajoni
Lexohet për: 3 min.
5 muaj më parë
Linku u kopjua

Komisioni Evropian pret që Serbia t’i hetojë në mënyrë transparente të gjitha ankesat për parregullsi gjatë zgjedhjeve të 17 dhjetorit 2023.

Kështu ka thënë komisionari evropian Didier Reynders, i cili ka përfaqësuar Komisionin Evropian në debatin e sotëm për zgjedhjet në Serbi, i cili u zhvillua në Parlamentin Evropian. Sipas tij, shqyrtimi i parregullsive vlen edhe për burimet lokale, si në Beograd, ashtu edhe në komunat tjera.

Reynders ka thënë se pret që Serbia t'i zbatojë menjëherë të gjitha rekomandimet e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

“Ne jemi të gatshëm të mbështesim Serbinë në zbatimin e këtyre rekomandimeve. Po ndjekim me vëmendje protestat në Serbi, pas zgjedhjeve. Më lejoni të nënvizoj rëndësinë dhe të drejtën e mbajtjes së demonstratave paqësore. Në të njëjtën kohë dhuna nuk është zgjidhje dhe nuk është e pranueshme”, ka thënë ai.

Debati për Serbinë është futur në rendin e ditës të seancës plenare të Parlamentit Evropian me kërkesë të një grupi partish politike - socialdemokratëve, liberalëve, të gjelbërve dhe të majtëve.

Gjatë debatit të sotëm, dorëzuesi i kërkesës, Andreas Schider, ka thënë se në vend që të kërkohet transparencë, “presidenti dhe kryeministrja e Serbisë kritikojnë vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve në mënyrën më të ashpër dhe më të keqe”.

Ndër parregullsitë në zgjedhje, ai përmendi “votuesit fantazmë, blerjen e votave si dhe raportimin e njëanshëm mediatik”.

Parlamenti Evropian e ka pasur një mision vëzhgues për zgjedhjet në Serbi. Në krye të misionit ka qenë përfaqësuesi evropian, Klemen Groshell.

Përgjatë debatit, ai e ka përsëritur se janë konfirmuar parregullsitë në procesin zgjedhor, të cilat, sipas tij, dëshmojnë se vendi ka problem serioz në përmbushjen e standardeve themelore demokratike dhe në zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Popullistët evropianë janë përpjekur që të pengojnë debatin për Serbinë, duke iu referuar mospublikimit të raportit përfundimtar të vëzhguesve ndërkombëtarë.

Ndryshe, koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës”, nuk i pranon rezultatet dhe kërkon përsëritjen e zgjedhjeve, duke deklaruar se partia në pushtet, Partia Përparimtare Serbe (SNS) e Aleksandar Vuçiq ka fituar me vjedhje elektorale, por ky i fundit dhe liderët në pushtet i mohojnë akuzat.

Prej kur janë mbajtur zgjedhjet, një pjesë e opozitës ka organizuar çdo mbrëmje protesta me kërkesën për anulimin e rezultateve.

Zgjedhjet në Serbi do të diskutohen javën e ardhshme edhe në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, më 23 janar, ndërsa Parlamenti Evropian pritet të miratojë rezolutë për këtë çështje në muajin shkurt. /REL

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024