​Kurti: Mbi 5 milionë euro armatim në veri, NATO të ruajë kufirin
Lajme
Lexohet për: 2 min.
9 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryeministri, njëherit kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, iu drejtua bashkë partiakëve të tij në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm që u mbajt sot (30 shtator) në Prishtinë. Para të pranishmëve, ai tha se kanë gjetur armatim në vlerë mbi 5 milionë euro ndërsa përsëriti kërkesën që terroristët që u larguan nga Kosova, të ekstradohen për t’u ballafaquar me drejtësinë.

Kurti tha se grupi terrorist kishte ardhur me një skenar të tyre të cilin me sukses iu përgjigj Policia e Kosovës duke i eliminuar tre terroristë, arrestuar disa të tjerë dhe duke vazhduar përndjekjen e atyre që ikën.

Kreu i ekzekutivit u shpreh se është e qartë që e gjithë mbështetje logjistike, në armatim e trajnim ishte nga Serbia.

Kryeministri u shpreh se Policia e Kosovës tashmë ka vendosur sigurinë dhe paqen në pjesën veriore të vendit tonë, ndërsa ka shpërndarë mbi 100 pako ushqimore që plotësojnë nevojat bazike te banorët serbë që jetojnë në Banjskë.

Kurti duke falënderuar qytetarët e Banjskës për qetësinë e tyre, theksoi se gjatë operacionit policor nuk është lënduar dhe plagosur asnjë civil.

Për shtetin serb ka kërkuar që ata që ikën tinëzisht malit, të ekstradohen në Kosovë, ndërsa për ndërkombëtarët që dy organizata veriore “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” të shpallen terroriste.

Duke u ndalur të ruajtja e kufirit, Kurti tha se eksiton një zotim që Forca e Sigurisë së Kosovës nuk do të shkojë atje, prandaj kërkojnë që ky vakum të mbulohet nga forcat e NATO-s.

Kurti tha se Kosova është vendi me më së paku kriminalitet në Ballkanin Perëndimor, për dallim nga Serbia ku kriminaliteti është i lartë. Ai tha se Kosova gjithmonë do të ngadhënjejë ndaj Serbisë sepse “ne kemi Afrimin kurse ata krimin”.

Kurti u zotua se urrejtjes, krimit dhe terrorit ndaj Kosovës, shqiptarëve, Republikës e qytetarëve do t’i përgjigjemi me forcën e ligjit dhe drejtësinë e shtetit./KosovaPress/ 

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024