​Krasniqi: Është dëshpëruese, vetëm një i dënuar për dhunim seksual
Intervista
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

E mbijetuara e dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi e konsideron dëshpëruese mosndëshkimin e kriminelëve serbë për dhunime seksuale gjatë luftës së fundit. Ajo deklaron se për krimet e kryera në Kosovë nga serbët, më shumë shqiptarët po ballafaqohen me burgim. Krasniqi për KosovaPress thotë se gratë e burrat e mbijetuar nga ky krim nuk kanë guxim as të aplikojnë për njohjen e statusit, nga frika se do të identifikohen.

Gruaja e parë e cila foli publikisht për dhunimin seksual thotë se është e bindur se asnjëherë nuk do të gëzojë drejtësinë. Megjithatë, shprehet se ka forcën që zërin e saj ta ngre për të mbijetuarat e tjera.

"Lënda ime është tash lëndë e mbyllur, gjyqi suprem e ka marrë vendimin, pala-viktima nuk ka të drejtë të ankohet. Gjyqi suprem e ka marrë vendimin, ata kanë dal të lirë", deklaron Krasniqi.

24 vjet pas përfundimit të luftës, Vasfija përmend faktin se është vetëm një i dënuar për dhunim seksual në Kosovë. Ajo thekson se kjo është dëshpëruese për viktimat, të cilat një ditë presin drejtësi për rastin e tyre.

Data kur ajo përjetoi tmerrin, 14 prill, tashmë zyrtarisht njihet si Dita për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale.

Vasfija, e cila në kohën kur u dhunua në vitin 1999 ishte 16-vjeçare, tregon se ka edhe shumë vajza të tjera të cilat u keqtrajtuan shumë më të reja se ajo.

"Unë kam qenë 16-vjeçare ka që kanë qenë nëntëvjeçare, shtatëvjeçare, por nuk i ka mbijetuar dhunës dhe ajo ka vdekur. Rrëfimet janë të tmerrshme", shton ajo.

Teksa flet për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale, Krasniqi thotë se shumë prej të mbijetuarve janë ballafaquar me refuzim nga Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës çlirimtare të Kosovës.

Krasniqi e cila ka rrëfyer historinë e saj edhe para Kongresit amerikan, deklaron se gratë ende përballen me stigmën se do të identifikohen.

Vasfije Krasniqi Goodman në tetor të vitit 2018, rrëfeu publikisht mbi dhunën seksuale të ushtruar mbi të nga paraushtarakët serbë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024