​Kosova kampione ballkanike e Olimpiadës Speciale të Futbollit Unifikues
Sport
Lexohet për: 3 min.
2 ditë më parë
Linku u kopjua

Kosova është shpallur kampione ballkanike e Olimpiadës Speciale të Futbollit Unifikues që u zhvillua të premten në Prishtinë. Ekipet pjesëmarrëse në këtë kampionat kanë në përbërjet e tyre futbollistë me aftësi të kufizuara mendore të cilët në fushë ndihmohen nga përcjellësit e tyre. 

Përveç Kosovës, në këtë kampionat pjesëmarrëse ishin edhe Bosnja e Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, raporton KosovaPress.

Pasi përfundoi faza e grupeve me sistem pikësh, Kosova në gjysmëfinale e mposhti Shqipërinë me rezultat të thellë 7-3, dhe pastaj në finale u ballafaqua me Maqedoninë e Veriut ndaj së cilës triumfoi po ashtu me rezultat 7-3. 

Presidentja e Olimpiadës Speciale të Kosovës, Igballe Potera në përfundim të turneut tha se ky turne ishte shumë i suksesshëm, derisa shtoi se ishin bërë përgatitje maksimale që Kosova të shpallet kampion.

“Ka qenë një aktivitet jashtëzakonisht shumë i mirë turneu ballkanik të cilin për herë të parë e kemi organizuar. Nuk do të thotë që nuk ka vend për të bërë ndryshime për të arritur diçka edhe më shumë por jemi jashtëzakonisht të kënaqur me pjesëmarrësit të cilët ishin këtu. Ka qenë një referim jashtëzakonisht fer me të cilin edhe lojtarët kanë qenë jashtëzakonisht të kënaqur duke e parë edhe entuziazmin në fytyrat e tyre, kjo është mëse e rëndësishme pjesëmarrja e tyre këtu që ishin edhe katë3r vende që morën pjesë dhe besoj që në të ardhmen do të marrin pjesë edhe vende të tjera...Kemi bërë jashtëzakonisht shumë, kanë bërë trajnerët tanë të cilët nga dy herë në javë përgatitje për ta arritur këtë fitore”, theksoi Potera.

E futbollisti i Kosovës në këtë turne, Florent Haziri u shpreh shumë i lumtur me shpalljen kampion të Kosovës edhe pse pranoi se kundërshtarët nuk ishin të lehtë për t’i mposhtur.

“Shumë mirë kemi kaluar dhe jemi shumë të lumtur që e kemi këtë turne dhe gjithmonë do të jemi të lumtur. Nuk e kemi ditur po fati na qëlloi. Pak po, por nuk ka lidhje”, u shpreh shkurtimisht Haziri.

Kjo ishte hera e parë që në Kosovë organizohet një kampionat ballkanik i këtij formati i cili përtej garës, synon edhe dhënien e mesazhit për tolerancë, bashkëpunim dhe paqe pa dallim aftësie, gjinie apo nacionaliteti.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024