​Kosova e nis me fitore bindëse edicionin e ri në Ligën e Kombeve
Sport
Lexohet për: 2 min.
Kosova-Vajzat
21 orë më parë
Linku u kopjua

Kombëtarja e Kosovës për vajza e ka nisur me sukses edicionin e ri në Ligën e Kombeve. Në kuadër të Grupit 6 në Ligën C, Dardanet triumfuan si mysafire në Shkup ndaj Maqedonisë së Veriut, me rezultat bindës 4:0.

Kjo ishte ndeshja e parë e Kosovës nën drejtimin e përgjedhësit të ri, Sami Sermaxhaj. Vajzat tona e nisën fuqishëm ndeshjen dhe kaluan në epërsi qysh në minutën e 6-të, kur Kaltrina Biqkaj shënoi nga brendësia e zonës. Edhe pas golit, Kosova vazhdoi të dominojë dhe krijoi disa raste të mira shënimi, por pjesa e parë u mbyll me epërsinë minimale 1:0.

Në pjesën e dytë, Dardanet u shfaqën edhe më superiore. Pas vetëm katër minutash lojë, Kaltrina Biqkaj realizoi golin e dytë personal dhe të ekipit me një gjuajtje nga distanca, duke e çuar rezultatin në 2:0. Epërsia e Kosovës u thellua më tej, kur Gentiana Fetahaj shënoi në minutën e 65-të dhe vetëm dy minuta më vonë, Valentina Mehaj vulosi rezultatin përfundimtar 4:0.

Kjo fitore është një sinjal i fortë për ambiciet e Kosovës në këtë edicion të Ligës së Kombeve për rikthim në Ligën B. Ndeshjen e radhës, Dardanet do ta zhvillojnë më 25 shkurt kundër Letonisë në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke filluar nga ora 14:00.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025