​Ish-zv.kryeministri serb: Nuk jam optimist për marrëveshjen e Ohrit
Lajme
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Ish-zv.kryeministri i Republikës së Serbisë, Zharko Koraç tha se nuk është optimist për marrëveshjen e Ohrit.

Duke folur për Euronews Albania, ai shtoi se është e pakuptimtë se si nga njëra anë Vuçiq nuk e njeh Kosovën dhe nga ana tjetër ka një marrëveshje që është detyruese për Serbinë.

“Nëse flas për anën serbe dhe të Vuçiqit, ka mundësi të pranojë një pjesë të marrëveshjes. Do t’ju jap një shembull. Në marrëveshje ka që Serbia do ti njohë kartat e identitetit dhe pasaportat të Kosovës. Sinqerisht, nuk mendoj se shumica e serbëve, ndoshta 99% syresh nuk e dinë që qytetarët kosovarë kur vijnë në kufirin serb, i dorëzojnë dokumentet që nuk i njohin dhe marrin një dokument për t’u futur në Serbi. Por nëse i njohin këto dokumente, gjë që mendoj se do te ndodhë, njerëzit do të shkojnë me karta identiteti dhe pasaportat. Por askush në Serbi s’do ta dinte, sepse është thjesht çështje kufitare. Vuçiqi do ishte i kujdesshëm së pari për të njohur pjesë të kësaj marrëveshjeje që nuk do të bëjë shumë bujë publikisht. Njësoj edhe për Kurtin. Mendoj se duhet të tregohemi të duruar. S’është ajo lloj marrëveshjeje për të cilën do të ketë zbatim të menjëhershëm. Kam frikë se kjo do të jetë një marrëveshje që do të ecë shumë ngadalë”, deklaroi Koraç.

Ish-zv.kryeministri i Serbisë tha se 5 shtetet mosnjohëse të BE nuk do ta njohin Kosovën shtet të pavarur edhe pas marrëveshjes së Ohrit.

Sipas tij, mes pesëshes mosnjohëse ka nga ato, si Spanja dhe Qipro, që kanë arsyet e tyre të brendshme për ta kundërshtuar pavarësinë e Kosovës.

“Fatkeqësisht, jo. Nuk e mendoj. E kam parë që Prishtina është shumë optimiste për këtë çështje, por mendoj se gabojnë. Do t’ju jap një arsye. Mendoj se këto 5 vende, disa prej tyre, si Spanja dhe Qiproja, kanë problemet e tyre të brendshme, kanë fare pak lidhje me problemet e Kosovës, le të themi. Siç e dini, Spanja ka probleme me Katalonian dhe Qipro ka probleme me të ashtuquajturën Republikën Turke të Qipros, të cilën s’e njeh asnjë shtet i botës përveç vetë Turqisë. Pra, këto vende kanë, si të thuash, arsyet e tyre të brendshme për të kundërshtuar. Në fund të ditës, mendoj se do ta njohin Kosovën, por për momentin e njohin pasaportën e Kosovës, me sa di unë, njohin dokumentet kosovare, për shembull, Sllovakia nuk e njeh Kosovën, por i njohin pasaportat. Pra, ideja është nuk mund t’i ndalosh udhëtimet nga Kosova dhe mendoj se është turp i madh për Evropën që Kosova në janarin e vitit të ardhshëm do të ketë liberalizmin e vizave ku populli i Kosovës do të udhëtojë pa viza, sepse Kosova është e vetmja pjesë e Evropës ku ka ende regjimin e vizave”, tha Koraç.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024