Koalicioni AAK-NISMA-Konservatorët-Forumi intelektual E30-ideal, kanë mbajtur tubim zgjedhor në Podujevë, ku kryesisht u kritikua qeverisja aktuale, duke thënë se i vizitojnë llapjanët vetëm kur të kërkojnë vota, duke u betuar në libra të shenjët. Megjithatë, nuk durojnë fryrjen e vlerave çlirimtare.
Gjini kërkoi llapjanëve që kanë votuar Lëvizjen Vetëvendosje, që ta rimendojnë mirë votën e 9 shkurtit.
“Para katër viteve çdo i dyti qytetarë i Kosovës e ka votuar partinë në pushtet. Ata njerëz kanë besuar, ata njerëz çdo i dyti janë familjarë, shokë, punëtorë, ata nuk janë njerëz të këqij, janë të mirë, por kanë besuar në diçka. Është punë e juaja me biseduar me ata dhe me i thënë, a po iu duket se është mirë Kosova në binarët që e ka vendosur qeveria aktuale. Atëherë hajde punojmë ta qesim Kosovën në atë ëndrrën që kemi pasur.... Nuk mundemi me qenë bukëpërmbysës, nuk mundemi me qen mosmirënjohës, nuk mundemi me i thënë as Amerikës, as Evropës rri atje se ne i kryejmë punët e veta, më besoni që ka shtete të mëdha që kur i kanë arritur t’i thonë kështu miqve, kanë arrit t’i kthehen edhe popullit të vet dhe sot jetojnë në mjerim”, tha Gjini.
“Jemi duke u qeverisur me njerëz të pa-ditur, me njerëz që nuk janë të zot dhe nuk kanë kompetencë me udhëheq. Më 9 shkurt këta njerëz duhet ta hapin rrugën. E patë çka tha kryeministri Kurti në fushatë, flet për lidhjen e Prizrenit me Tetovën, pas 4 vitesh dështimi për ndërtimin e rrugës që e lidh Podujevën me Prishtinën. Ai flet për projekte dhe tregon fotografi që kalojnë male e në një rrugë për 4 vite në qiell të hapur, kjo qeveri dështoi të ndërtoi një autostradë Podujevë-Prishtinë. Na kanë maltretuar çdo ditë për 4 vite rresht, e kanë lënë zonë më të pasur, me njerëz më të dëshmuar si në luftë për liri, si paralufte, si në ekonomi, zorrë qorre. Vinë këtu vetëm kur kanë nevojë për vota, betohen në libra të shenjët, pinë qaj te Bari Hoti dhe shkojnë në Prishtinë. Këtyre duhet t’i themi stop”, deklaroi ai.
Ai tha se duhet thënë jo njerëzve që e kanë vendosur shtetin tonë nën sanksione.