​Gjakova pa barnatore kujdestare gjatë natës
Lajme
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Mungesa e operimit të barnatoreve pas mesnatës dhe ditën e diel mbetet shqetësim për qytetarët e Gjakovës. Një çështje e tillë është ngritur edhe në mbledhjen e Asamblesë komunale të ditës së mërkurë, ku këshilltarët komunalë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë kërkuar që orari i kujdestarisë të bëhet me rregullore, por kryetari Ardian Gjini ka thënë se nuk ka bazë ligjore për një gjë të tillë.

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ledian Rexha, deklaroi se vetë farmacistët muaj më parë kanë mbajtur takim ku kanë diskutuar çështjen e kujdestarisë por kanë kërkuar garancinë e zbatimit të orarit nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Asambleja e Komunës së Gjakovës.

“Sikur se shume prej qytetarëve besoj që dhe shumë nga ne në këtë sallë jemi rastisur përballë një urgjence mjekësore, urgjenca të cilat nuk kanë orare të caktuara, ashtu siç nuk kane orare as institucionet që e ofrojnë mjekimin e saj, e orare të caktuar s’duhet të kenë as barnatoret që janë hallka e fundit në renditje e aspak nga rëndësia në trajtimet mjekësore... Përderisa në spital dhe në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare jepen shërbime kujdestarie, është e logjikshme dhe gjithsesi e paevitueshme që të njëjtën gjë ta bëjnë dhe barnatoret të cilat janë pjesa integrale e përfundimit të ciklit të mjekimit”, tha Rexha.

Mirëpo, kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, deklaroi se nuk ka bazë ligjore që të rregullohet kjo çështje. Sipas tij, Komuna nuk mund të urdhërojë një barnatore të punojë në një ditë të caktuar e në orar të caktuar.

Sipas tij, farmacistët duhet të mblidhen vetë dhe të sjellin një propozim të tyre ëpr orar që më pas Komuna ta mbështesë të njëjtën.

Mirëpo, Rexha tha se kërkesat e qytetarëve tashmë ekzistojnë ashtu sikurse ka një dakordim edhe nga vetë farmacistët.

Ndërsa në lidhje me bazën ligjore, ai solli shembullin e disa komunave, që sipas tij, mund të adaptohet edhe nga ajo e Gjakovës.

Kreu iGjakovës tha se nuk është kundër që barnatoret të kujdestarojnë dhe tha se nëse ka ardhur ndonjë propozim nga barnatoret atëherë do ta shqyrtojnë me shpejtësi.

“Nuk jam kundër që në Gjakovë të kemi barnatore kujdestare, jam në gjendje të bëj gjithë çfarë është në fuqinë time që me ndodhë, por nuk mund ta marr vendim unë e as ju. Pa e ditur e përmenda si duhet të ndodhë. Duhet të vijë një propozim prej barnatoreve, duhet të mbështetet prej Komunës, prej policisë dhe e bëjmë. Nëse ka ardhur propozimi e mund të mos e dijë, kërkoj falje dhe e shohim shpejtë”, tha Gjini.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024