Humbja 1:0 ndaj Spanjës në finalen e Kupës së Botës 2026 ka hapur një periudhë pasigurie për Argjentinën, me të ardhmen e Lionel Messit dhe trajnerit Lionel Scaloni që mbetet ende e paqartë. Pas përfundimit të turneut, në kampin e “Albiceleste” kanë nisur diskutimet për mënyrën se si do të ndërtohet skuadra për vitet e ardhshme.
Sipas mediave ndërkombëtare, Argjentina nuk arriti të shfaqte lojën që e karakterizoi në sukseset e viteve të fundit, duke u mbështetur kryesisht te përvoja dhe individualiteti i Messit. Përveç rikthimit ndaj Anglisë në fazën eliminatore, skuadra nuk pati paraqitje bindëse dhe në finale u neutralizua nga një Spanjë dominuese.Një nga çështjet kryesore është e ardhmja e Messit, i cili për dy dekada ka qenë qendra e projektit sportiv të kombëtares argjentinase. Në mungesë të një pasuesi të qartë, Nico Paz përmendet si një nga lojtarët që mund të marrë më shumë përgjegjësi në të ardhmen, megjithëse konsiderohet ende në fazën e zhvillimit.
Pavarësisht zhgënjimit në finalen e Kupës së Botës 2026, gjenerata e drejtuar nga Scaloni do të mbetet në histori si një nga më të suksesshmet e futbollit argjentinas, ndërsa Federata pritet të marrë vendime të rëndësishme për të nisur një cikël të ri pas epokës së Lionel Messit.
KosovaPress