Udhëtimi është një nga mënyrat më të mira për të përjetuar kultura të reja, për të mësuar rreth botës dhe për t’u rritur si individ, shkruan Sophie-May Williams në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Metro”.
Por, për shumë turistë, paratë mbeten një pengesë goxha e madhe. Realiteti është se shumë prej tyre nuk zgjedhin destinacionet e duhura dhe më të lira – ku mund të përfitojnë, raporton ATSh.
Ka kaq shumë përfitime nga zgjedhja e vendndodhjeve me kosto të ulët, nga udhëtimet me distancë më të shkurtër, rezervimi i akomodimit më të këndshëm dhe madje edhe mundësia për të përballuar një pije me drekë.
“Metro” dhe Paul Scott, themeluesi i “My Budget Break”, përpiluan një listë me shtatë vendet më të mira për të vizituar në vitin 2025 – për të rinjtë me një buxhet të kufizuar, por me një dëshirë të madhe për të udhëtuar.
Shqipëria
Vitet e fundit, Shqipëria është kurorëzuar me statusin e ‘Perlë e fshehur’. Riviera mahnitëse Shqiptare është pagëzuar gjithashtu me emrin “Maldivet e Evropës”, gjithashtu falë çmimeve mbresëlënëse, transmeton KosovaPress.
Ndërsa vendi ballkanik po përjeton kohët e fundit një rritje të turizmit, fluturimet dhe akomodimet janë të lira.
“Fluturoni në Tiranë dhe shkoni në jug te vendit për disa pamje të mahnitshme. Vendet si plazhi i Dhërmiut mund të jenë të populluar, por janë të bukur, duke ofruar pamje nga deti dhe një sfond magjepses të Maleve të Vetëtimës.
Ose mund të udhëtoni drejt Durrësit, në veri të Tiranës, për më shumë vende bregdetare.
Megjithatë, zhvillimi i Shqipërisë nga një vend i izoluar në një destinacion kryesor për pushime nuk është arritur pa sfidat e saj.
Gazetarja e medias britanike “Metro”, Alice Murphy e vizitoi vendin vitin e kaluar dhe vuri në dukje se bumi i turizmit ishte një “thikë me dy presa”, transmeton KosovaPress.
Ndërsa turistët e huaj janë joshur nga videot virale të ujërave bruz dhe rërës së bardhë dhe të pacenuar – kush nuk do të ishte? – rritja e fluksit turistik ka prodhuar një sërë ndërtimesh që mund të kërcënojne peizazhin spektakolar.
Megjithatë, ekspertët e udhëtimeve thonë se koha më e mirë për të vizituar Shqipërinë është fundi i pranverës, prill-maj dhe fillimi i vjeshtës, shtator-tetor.
Në këtë mënyrë, ju mund të shmangni turmat e vizitorëve dhe të kontribuoni drejt një qasjeje më të qëndrueshme turistike.
Ju rekomandojme të merrni me qira një makinë për të përfituar sa më shumë nga pushimet tuaja në Shqipëri. Çmimet fillojnë nga 6-7 paund në ditë.
Përballueshmëria e Shqipërisë do të thotë gjithashtu se akomodimi nga një bujtinë në një hotel është padyshim një opsion, transmeton KosovaPress.
Shtatë vendet më të mira për t’u vizituar për të rinjtë me një buxhet të kufizuar, por me një dëshirë të madhe për të udhëtuar:
1-Shqipëria;
2-Verona dhe Liqeni Garda, Itali;
3-Antalia, Turqi;
4-Krakow, Poloni;
5-Hammamet, Tunizi;
6-Bregu i Atlantikut të Portugalisë dhe Lisbona;
7-Sofje, Bullgari