Fondi amerikan Oaktree ka konfirmuar përmes një deklarate zyrtare blerjen e Interit nga Suning i presidentit Steven Zhang. Firma amerikane Oaktree ka konfirmuar se ka marrë pronësinë e kampionëve të Serisë A, Interin, pasi presidenti Steven Zhang nuk arriti të shlyente një borxh prej afro 400 milionë euro.
“Që nga 22 maji, fondet e menaxhuara nga Oaktree Capital Management, LP (“Oaktree”) kanë marrë pronësinë e FC Internazionale Milano. Kjo pason mosshlyerjen e huasë tre-vjeçare të Oaktree për kompanitë mbajtëse të Interit që maturoi më 21 maj 2024 me një bilanc total prej rreth 395 milionë euro”, thuhet në deklaratën e Oaktrees.
Tutje, Oaktre ka deklaruar se është e përkushtuar për një të ardhme të mirë të Interit.
“Oaktree është i përkushtuar për të arritur rezultatin më të mirë për prosperitetin afatgjatë të Interit, me një fokus fillestar në stabilitetin operacional dhe financiar për klubin dhe palët e tij të interesuara. Oaktree vlerëson trashëgiminë e klubit, pasionin e lojtarëve, besnikërinë e Interistëve dhe rolin e rëndësishëm të klubit në Milano, Itali dhe komunitetin global sportiv. Oaktree është i përkushtuar të punojë ngushtë me ekipin aktual drejtues të Interit, partnerët, ligën dhe organet drejtuese për të siguruar që klubi të jetë i pozicionuar për sukses brenda dhe jashtë fushës; duke u fokusuar në menaxhimin e fortë, operacionet dhe qeverisjen me një vizion për rritje të qëndrueshme dhe sukses.”
Zhang u bë presidenti i parë i huaj që fitoi një titull në Serie A në sezonin 2020-2021 dhe këtë sezon, Nerazzurrët bënë sërish histori duke fituar Scudetton e 20-të në historinë e tyre.
Deklarata zyrtare e Oaktree konfirmon se drejtorët aktualë do të mbeten në krye, kështu që Beppe Marotta, Alessandro Antonello, Dario Baccin dhe Piero Ausilio do të mbeten në operativë.
Blerja e Oaktree do të thotë gjithashtu që derbi i ardhshëm i della Madonnina do të jetë derbi i parë amerikan i Milanos, mes kuqezinjve, në pronësi të RedBird të Gerry Cardinale dhe pronarëve të rinj të Interit, Oaktree.