Kanë mbetur më pak se dhjetë ditë deri në skadimin e mandatit të guvernatorit aktual, Fehmi Mehmeti dhe ende nuk dihet se kush dhe kur do të emërohet guvernatori ri i Bankës Qendrore të Kosovës.
Procesi i përzgjedhjes së guvernatorit ka ngecur në Komisionin parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere.
Deputeti nga radhët e PDK-së, Lushtaku dyshon se kjo vonesë mund të jetë e qëllimshme, pasi sipas tij në këtë proces ka edhe ndikim partia në pushtet.
Në anën tjetër, kryetari i Komisionit për Buxhet nga radhët e Vetëvendosjes, Armend Muja nuk është prononcuar për KosovaPress lidhur me këtë temë.
Ai thotë se në bazë të procedurave ligjore e vetmja zgjedhje do të jetë emërimi i një ushtruesi të detyrës së guvernatorit.
Mes tjerash, ai kërkon nga kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja, t’i ftojë anëtarët në komision dhe të fillojnë me shqyrtimin e procedurave, pasi që mandati i guvernatorit aktual përfundon më 29 mars.
“Në bazë të procedurave ligjore shohim se e vetmja zgjedhje do të jetë edhe vet mundësia që të ketë një ushtrues detyre të guvernatorit. Dhe me sa duket ky është edhe qëllimi i vet anëtarëve të BQK-së, ndoshta edhe mazhorancës, sepse e dimë shumë mirë që (Bashkim) Nurboja ka qenë edhe kandidat për deputet në VV dhe si i tillë realisht është ndikuar drejtpërdrejt edhe nga mazhoranca. Për herë të parë drejtpërdrejt anëtarët e bordit të BQK-së janë të lidhur ngushtë me pushtetin dhe kjo është një pasiguri tjetër edhe juridike, financiare, por edhe për vet BQK-në si institucion dhe si kushtetues”, tha mes tjerash Lushtaku.
Duke folur për përzgjedhjen e guvernatorit, deputeti nga PDK, Mërgim Lushtaku tha se edhe vet lista e kandidatëve lë për të dëshiruar.
Fehmi Mehmeti ushtron funksionin e guvernatorit të BQK-së nga data 29 mars 2018, ndërsa ky mandat skadon më 29 mars 2023.
Ndërsa, në fund të muajit të kaluar, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, ka shqyrtuar listën e kandidatëve për pozitën e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK). Me këtë rast, katër kandidatë sipas Bordit janë në garë për t’u zgjedhur në krye të BQK-së.
Ndërkaq, në listën që është dërguar nga Paneli i BQK-së, deputetët e partive opozitare kanë pasur kritika sa i përket mënyrës sesi ka shkuar procesi i përzgjedhjes së Guvernatorit. /E.Krasniqi/