Presidentja Vjosa Osmani, së bashku me kryeministrin Albin Kurti dhe zv.ambasadoren e SHBA-së, Alyson Grunder, kanë bërë homazhe te memoriali “Kosova kujton”, kushtuar viktimave të 11 shtatorit 2001 në SHBA.
Osmani tha se ky ishte një ndër sulmet më të tmerrshme në histori, derisa ka shtuar se me 11 shtator të vitit 2001 u atakuan të gjithë që besojnë në vlerat e lirisë dhe demokracisë.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se 11 shtator e gjithë bota është tronditur nga pamjet e sulmeve terroristë që vranë afër 3 mijë qytetarë. Ai tha kjo datë përkujton se liria dhe demokracia duhet të mbrohen përherë, sepse vazhdimisht janë në rrezik.
“Më 11 shtator 2001, bota u trondit nga lajmi e u shokua nga pamjet e sulmeve terroriste, të cilët vranë 2977 qytetarë, dhe në këtë mënyrë, shënuan sulmin më të tmerrshëm terrorist, i cili ndryshoi gjithë botën. Populli i Kosovës qëndron pranë popullit amerikan dhe SHBA-ja e dëshmuan edhe pas 11 shtatorit se janë komb i njerëzve të lirë e të barabartë dhe se nuk bëjnë kompromis me vlerat e tyre. 21 vjet më vonë ne nderojmë kujtimin për viktimat, dhe shprehim dhembshurinë e solidaritetin tonë për atë ngjarje të rëndë, dhe për familjet e gjithë kombin amerikan. Na përkujton të mos e harrojmë kurrë se liria dhe demokracia duhet të mbrohen përherë, sepse vazhdimisht janë në rrezik”, ka thënë Kurti.
Grunder ka kujtuar 11 shtatorin si tronditje për gjithë popullin amerikan. Ajo tha se qëllimi i tyre ishte të merrnin sa më shumë jetë të njerëzve të pafajshëm.
“Në atë ditë të kobshme të 11 shtatorit të vitit 2001, unë kam qenë në Neë York duke shërbyer në misionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mund të paramendoni se çfarë tronditje ishte për të gjithë ne të cilët e pamë se si është e mundur që një qenie njerëzore të planifikonte sulme aq të urrejtshme, të cilat qëllimin e vetëm e kishin të merrnin sa më shumë jetë të njerëzve të pa fajshëm”, ka shtuar ajo.
Grunder është shprehur me fat për partneritetin e fortë në mes SHBA-së dhe Kosovës.
“Ky është vetëm simbol i lidhjeve të forta dhe vlerave që populli i Kosovës dhe populli i SHBA-së kanë të përbashkëta dhe i ndajnë së bashkë. Jemi me fat që kemi një partneritet kaq të qëndrueshëm dhe të fortë me Kosovën”, ka shtuar ajo.
“Ajo që ishte menduar të ishte goditje për SHBA-të dhe botën demokratike, vetëm sa i bashkoi të gjithë, për tu ngritur më fuqishëm e më guximshëm se kurrë kundër terrorizmit dhe në mbrojtje të më të shtrenjtës: Lirisë. Frontit të përbashkët global kundër terrorizmit, që udhëhiqet nga SHBA-të tash e 21 vjet, i është bashkuar edhe Kosova. Në përvjetorin e 21-të të kësaj ngjarjeje që ndryshoi drejtimin e historisë së re, qëndrojmë pranë popullit mik amerikan, për të kujtuar këtë ditë dhe për të ndarë dhembjen dhe pikëllimin me ta”, ka shkruar ai në Facebook. /E.Krasniqi/