Një seri zjarresh kanë shpërthyer në komunën e Podujevës, me gjithsej 19 raste të regjistruara në 24 orët e fundit. Forcat lokale të zjarrfikësve dhe autoritetet atje janë angazhuar maksimalisht për të menaxhuar situatën, duke arritur të përgjigjen në 14 prej zjarreve deri tani. Dy zjarre ende janë aktive dhe përpjekjet për t’i shuar vazhdojnë.
Ani se ende nuk ka një raport zyrtar, mësohet se gjatë ditës së djeshme janë djegur sipërfaqe të mëdha me grurë, duke ua çuar dëm mundin e shumë fermerëve llapjanë, por duke rrezikuar kështu edhe njerëzit e pronat e tyre. Ekipi i KosovaPress ka qëndruar sot në fshatin Buricë, ku ende ka vatra të zjarrit, të cilat po ‘luftohen’ nga zjarrfikësit.
Sipas zëdhënësit të Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, komuna është koordinuar me brigadat e zjarrfikësve dhe Agjencionin për Menaxhim Emergjencave për sigurinë e qytetarëve dhe për të minimizuar dëmet në pronë dhe mjedis. Zëdhënësi Zhitia theksoi reagimin e shpejtë të grupeve të zjarrfikësve, pavarësisht kushteve të vështira të motit dhe terrenit malor.
“Ditëve të fundit Komuna e Podujevës është duke u ballafaquar me vatra të ndryshme të zjarreve në lokalitete të ndryshme. Komuna e Podujevës në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit Emergjent dhe me Policinë e Kosovës si dhe me Brigadën e zjarrfikësve këtu njësia në Podujevë jemi duke punuar që të ju dalim në ndihmë qytetarëve dhe t’i lokalizojmë zjarret të cilat kanë përfshirë shumë fshatra të cilat po i rrezikojnë përveç pronave, po i rrezikojnë edhe shtëpitë e banimit”, tha ai.
Komandanti i Brigadës Komunale të Zjarrfikësve në Podujevë, Milaim Ajvazi ofroi informacione të mëtejshme mbi përpjekjet për shuarjen e zjarreve.
Ajvazi po ashtu shtoi se brigada komunale në Podujevë ka të njëjtin numër stafi që 23 vite dhe theksoi se ky është një fenomen që paraqitet në mbarë Kosovën edhe pse kërkesat mbesin që numri i stafit të rritet.
Për këtë sfidë të zjarrfikësve, u shpreh edhe zëdhënësi i Komunës së Podujevës, i cili tha se Brigadës Komunale të Zjarrfikësve në Podujevë po ju mungojnë punëtorët. Ai theksoi se për këtë çështje përgjegjësia bie mbi AME-në.
Zjarret, të cilat shpërthyen javën e kaluar, kanë ngjallur shqetësim për shkak të afërsisë së tyre me zonat e banuara, megjithatë nuk ka raporte për viktima deri tani. Autoritetet lokale kanë bërë thirrje për qytetarët që të mbeten vigjilentë dhe të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë që mund të lidhet me zjarrin.
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...