Ziadeh: UNMIK-u mbështet përpjekjet për një të ardhme më të mirë
Lexohet për: 4 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, ka deklaruar se pavarësisht kohëve të vështira dhe rrethanave sfiduese, veprimet e misionit që ajo drejton “do të transformojnë shoqëritë duke i vendosur ato në rrugën e bashkëjetesës paqësore dhe prosperitetit gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm”.

Ajo këto komente i bëri sot në hapje të Forumit të Kombeve të Bashkuara për ndërtimin e besimit në Kosovë sot në Selanik.

Forumi shënon përvjetorin e pestë të përpjekjeve të UNMIK-ut për ndërtimin e besimit të komuniteteve të Kosovës dhe përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, si dhe krijimin e bazave të nevojshme për përparim, pavarësisht tregimeve përçarëse dhe rrethanave sfiduese.

“Elasticiteti, siç e dinë shumë mirë komunitetet në mbarë Kosovën, kërkon jo vetëm përshtatjen ndaj vështirësive kur ato lindin, por edhe pranimin se çdo sfidë mund të përkthehet në mundësi të reja. Qëndrueshmëria kërkon guxim politik, udhëheqje pragmatike, solidaritet, një frymë të fortë partneriteti dhe mbi të gjitha, nxitje të besimit”, tha Ziadeh.

Një fjalë rasti ka mbajtur edhe baronesha Catherine Ashton, ish-përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian dhe zëvendës presidente e Komisionit Evropian.

“E vetmja mënyrë për të krijuar besim është të zotërosh një problem dhe të japësh një zgjidhje. Në negociata, askush nuk fiton gjithçka, dhe nëse do të jesh i suksesshëm, atëherë të gjithë duhet të ndjejnë se kanë marrë diçka”, tha Ashton.

Ndërsa, Vesna Pusiq, ish-ministre e Punëve të Jashtme kroate, tha se anëtarësimi të gjitha vendeve të Evropës Juglindore në BE është mënyra e vetme për stabilizimin e rajonit.

“Në politikë koha është gjithçka. Të njëjtat qasje dhe zgjidhje që funksionuan më parë mund të mos funksionojnë më, por ajo që mbetet është objektivi. E vetmja mënyrë për të stabilizuar Evropën Juglindore është që të gjithë të anëtarësohen në BE dhe paqja, bashkëpunimi, demokracia dhe llogaridhënia janë plani i vetëm që kjo të ndodhë”, tha ajo.

Me qëllim të “Mbështetjes së Bashkësisë për një të Ardhme më të Mirë”, forumi treditor mbledh së bashku 120 përfaqësues nga komunitetet dhe sferat e ndryshme të jetës, duke përfshirë institucionet e Kosovës, shoqërinë civile, mediat, gratë dhe organizatat rinore.

Ata do të punojnë së bashku për të formuluar rekomandime konkrete dhe të zbatueshme se si të bëhet ndërtimi i mëtejshëm i besimit në Kosovë në fushat e sundimit të ligjit, të drejtave gjuhësore, mbrojtjes së mjedisit, pjesëmarrjes dhe përfshirjes qytetare, mediave dhe luftimit të dezinformatave dhe fuqizimit ekonomik për të mirën e të gjithëve në Kosovë.

Këto rekomandime do të ndahen gjerësisht me të gjitha palët e interesuara dhe do të udhëheqin përpjekjet e ardhshme të UNMIK-ut për ndërtimin e besimit.

Ndryshe, Forumit për ndërtimin e besimit në Selanik i parapriu një seri konsultimesh tematike të fokus grupeve, të cilat u zhvilluan në Qendrën “Barabar” në Prishtinë gjatë tetorit dhe nëntorit.

Këto konsultime ofruan një mundësi për përfaqësuesit e nivelit bazë për të diskutuar së bashku sfidat me të cilat përballen në fushat e tyre përkatëse dhe çështjet më urgjente për njerëzit dhe komunitetet në Kosovë, thuhet në një komunikatë të UNMIK-ut.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024