Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) dhe shefja e UNMIK-ut Caroline Ziadeh u takua me bashkëbiseduesit kryesorë gjatë vizitës së saj në Beograd më 11 dhe 12 prill. Ajo diskutoi një sërë çështjesh aktuale, si dhe raportin e ardhshëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së përpara seancës së ardhshme të planifikuar të Këshillit të Sigurimit për UNMIK-un më vonë këtë muaj. Ziadeh theksoi rëndësinë e vazhdimit të përpjekjeve me mirëbesim për të gjetur zgjidhje kompromisi në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve. Këto përfshinin përpjekjet që po ndërmerren për zgjidhjen e çështjeve të monedhës në zonat me shumicë serbe të Kosovës, perspektivat për zgjedhje të reja lokale në komunat veriore dhe hapat e nevojshëm drejt themelimit të asociacionit. Diskutimet mbuluan gjithashtu një sërë çështjesh për forcimin e paqes dhe stabilitetit rajonal.
Gjatë vizitës në Beograd, Ziadeh u takua me kryeministrin në detyrë dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, dhe drejtorin e Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviq. Ziadeh u takua gjithashtu me përfaqësues nga trupi diplomatik me bazë në Beograd. Ajo informoi për punën e vazhdueshme të UNMIK-ut për ndërtimin e besimit në Kosovë, si dhe për planet e ardhshme në këtë fushë. Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet të diskutojë raportin e rregullt të punës së UNMIK-ut për Kosovën këtë muaj.