Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar sot qytetarët me të drejtë vote në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok se ku mund t’i gjejnë qendrat e votimit në zgjedhjet e 23 prillit.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, procedura është e thjeshtë, duke shënuar vetëm numrin personal të identifikimit në makinën kërkuese që është vendosur në ueb faqen e KQZ-së në hapësirën gjej qendrën tuaj të votimit, apo në vegzën direkte: https://eomp.kqz-ks.org/
Kujtojmë që, ditë më parë, Lista Serbe, që ka udhëhequr me katër komunat veriore ka treguar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, sipas tyre deri në formimimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në zgjedhjet e 23 prillit, për kryetarë të katër komunave në veri do të garojnë 11 kandidatë, ku vetëm dy prej tyre janë nga komuniteti serb.
Zgjedhjet në veri fillimisht janë caktuar për datën 18 dhjetor të vitit 2022, mirëpo ato janë shtyrë pas incidenteve nga grupe kriminale serbe ndaj zyratrëve të KKZ-ve dhe pamundësisë për organizimin e tyre./Kosovapress