Zgjedhjet e parakohshme në katër komunat veriore nuk pritet të mbahen gjatë këtij viti. Nga ekzekutivi nuk konfirmojnë se ka nis ndonjë iniciativë nga qytetarët serbë në veri që përmes peticionit të largohen kryetarët aktual, ndërkaq opozita dhe njohësit e proceseve zgjedhore e shohin të pamundur të ndodhin zgjedhjet gjatë këtij viti.
Megjithëse zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se janë pajtuar me kërkesat e BE-së që të shmanget kërkesa për numrin e telefonit në kuadër të nënshkrimit për peticion, nga zyra e tij thanë se edhe pas këtij zhvillimi gjithçka varet nga vullneti i qytetarëve atje për të nis peticionin.Duke folur për mundësinë e dorëheqjeve të kryetarëve aktual, ai thotë se duhet të shikohet nëse ka vullnet politikë për një gjë të tillë, pasi kryetarët aktual pavarësisht numrit të vogël të votave janë legjitim.
Ndërkaq, njohësi i proceseve zgjedhore, Mazllum Baraliu, thotë për KosovaPress, se në bazë të udhëzimit administrativ dhe ligjit për zgjedhjet lokale, për të pasur zgjedhje të reja në komunat veriore duhet të ketë një kërkesë nga të paktën 20 për qind të trupës elektorale për shkarkimin e kryetarëve aktual.
Po ashtu, edhe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi është skeptik se do të ketë zgjedhje të reja në katër komunat veriore.
Në bazë të një marrëveshjeje me Bashkimin Evropian në Bratisllavë, Kosova ka treguar gatishmëri për organizimin e zgjedhjeve të reja në katër komunat me shumicë serbe në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Kryetarët aktual në katër komunat veriore kanë dal nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit, të cilat i ka bojkotuar komuniteti serb.