Zëvendëspresidentja e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit(MCC), Alicia Mandaville, gjatë vizitës së saj në Kosovë ka parë sot nga afër implementimin e projekteve të mbështetura nga kjo korporatë edhe në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK).
Në vizitën e saj të parë në Kosovë, zëvendëspresidentja Mandaville tha se i ka pëlqyer cilësia e ajrit në Prishtinë, por sipas saj kjo varet edhe nga stinët e vitit.
Zëvendësministrja e Mjedisit Linda Çavderbasha duke folur për projektin e mbështetur nga MCC-ja dhe implementimin e tij në Kosovë, në veçanti për stacionet për matjen e cilësisë së ajrit dhe monitorimin e kualitetit të ajrit, tha se nëpërmjet këtij projekti janë hapur dyert për përmirësimin e sistemit të cilësisë së ajrit.
“Ne e dimë se kjo ka qenë mbështetja më e madhe për Kosovën, ngase Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës nuk ka pasur mbështetjen e nevojshme, kështu që nëpërmjet këtij projekti ne kemi hapur dyert për një bazë për përmirësimin e sistemit të cilësisë së ajrit, por edhe për monitorimet në Institutin Hidrometeorologjik. Ka shumë për të bërë në fushën e hidrometeorologjisë në Kosovë. E mira është se ne tashmë kemi bërë studime për Institutin Hidrometeorologjik nëpërmjet një projekti tjetër, sepse fokusi i kësaj qeverie është mbrojtja e ujërave dhe mbledhja e të dhënave për shirat dhe hidrologji, dhe nëpërmjet projekteve të ndryshme jemi duke u munduar të sigurojmë ujë të pijshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës”, theksoi Çavderbasha.
“(Mirënjohës) Për krejt punën që keni bërë, për pajisjet që i keni dhuruar dhe për monitorimin e cilësisë së ajrit, por ka nevojë edhe për të ardhmen me bashkëpunuar. Kështu për atë çka është bërë, do të vizitojmë tash një pjesë të tyre. Po ashtu është edhe një pjesë tjetër e projektit, që kemi nevojë edhe në të ardhmen për ta mbështetur edhe më shumë, për të mund të bëhet edhe një parashikim disaditor paraprakisht në aspektin e cilësisë së ajrit”, theksoi Shala.
Gjatë ditës përfaqësues të MCC-së kanë marrë pjesë edhe në një aktivitet tjetër në Prishtinë me rastin e përfundimit të programit 5-vjeçar “Gratë në Energji”, program ky që po kontribuon drejt kapërcimit të hendekut të madh gjinor në sektorin e energjisë në Kosovë.
Projekti ka mundësuar investimin në stacionet e reja për monitorimin e cilësisë se ajrit, softuer adekuat, si dhe aplikacione përkatëse për komunikimin e cilësisë së ajrit. Ky investim bënte pjesë në vazhdën e përpjekjeve të MFK-së dhe MCC drejt përmirësimit të disponueshmërisë publike dhe përdorimit analitik të të dhënave mjedisore nga bizneset, qeveria, shoqëria civile dhe OJQ-të, duke promovuar në këtë mënyrë vendimmarrjen e nxitur nga të dhënat.