Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky u bëri thirrje sot aleatëve perëndimorë që të injorojnë "vijat e kuqe" të Moskës dhe të lejojnë Kievin të përdorë armë me rreze të gjatë për sulmet në territorin rus, ndërsa Uashingtoni i premtoi Kievit 250 milionë dollarë shtesë në armë.
Zelensky u shfaq për herë të parë në një tubim të rregullt të aleatëve ukrainas të organizuar nga SHBA në bazën ajrore Ramstein në Gjermani. Ai u përpoq të paraqiste opsionin e sulmeve me rreze të gjatë si një mënyrë tjetër për të bërë presion ndaj Rusisë për t'i dhënë fund pushtimit.
“Ne duhet të kemi një aftësi me rreze të gjatë jo vetëm në territorin e okupuar të Ukrainës, por edhe në territorin rus, në mënyrë që Rusia të jetë e motivuar për të ndjekur paqen”, tha Zelensky.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin vuri në dukje ofensivën e Kurskut si një shembull se si Ukraina punoi për të marrë iniciativën në fushën e betejës. "Ushtria agresore e Kremlinit tani është në mbrojtje në terrenin e saj," tha Austin.
Gjermania do t'i dorëzojë Ukrainës 12 obus vetëlëvizës shtesë, tha ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius në margjinat e një takimi të të ashtuquajturit grupi Ramstein i vendeve që furnizojnë Kievin me armë.
Duke folur me gazetarët në bazën ajrore amerikane Ramstein në Gjermaninë perëndimore të premten, Pistorius tha se obusët do të vijnë nga industria, jo nga rezervat ushtarake të vendit.
Austin paraqiti statistika për të vdekurit e luftës dhe tha se vlerësohej se më shumë se 350 mijë ushtarë rusë ishin vrarë ose plagosur. Ai tha se forcat ukrainase kishin fundosur, shkatërruar ose dëmtuar 32 anije të marinës ruse dhe e shtynë flotën ruse të Detit të Zi drejt lindjes.
Zelensky tha se rreth 6 mijë ushtarë rusë u vranë ose u plagosën në ofensivën ukrainase në Kursk.
Forcat ruse, të cilat kontrollojnë 18 për qind të Ukrainës, kanë bërë përparime graduale në lindje që nga dështimi i një kundërofensive të madhe të Kievit vitin e kaluar. Kremlini tha se nuk ka kushte për negociata paqeje me Ukrainën tani.