Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky i kërkoi Papa Françeskut gjatë një takimi në Vatikan ndihmë për lirimin e ukrainasve të mbajtur robër nga Rusia.
Zelensky, i cili po viziton kryeqytetet e mëdha evropiane për të diskutuar "planin e tij të fitores" të propozuar për luftën me Rusinë, tha se ai kishte ftuar gjithashtu Vatikanin të merrte pjesë në një konferencë për të burgosurit e luftës, që do të mbahet në Kanada më vonë këtë muaj.
Vatikani nuk dha detaje të bisedës së Papës me Zelensky, por tha se në një takim të mëpasshëm, lideri ukrainas dhe kryediplomati i Vatikanit diskutuan "luftën... si dhe mënyrat për t'i dhënë fund asaj".
Ky është takimi i dytë mes Zelensky dhe Papa Françeskut në katër muaj. Ata u takuan gjithashtu në qershor në samitin e G7 në Italinë jugore.
Zelensky i dhuroi Papës një vaj në kanavacë që përshkruan një fëmijë mes rrënojave të qytetit ukrainas të Bucha, i cili u pushtua nga forcat ruse për 33 ditë në pranverën e vitit 2022.
Ukraina dhe Perëndimi akuzojnë forcat ruse për kryerjen e krimeve të luftës gjatë pushtimit të Bucha.
Zyrtarët perëndimorë dhe Zelensky kanë thënë se lufta me Rusinë është në një pikë kritike dhe Ukraina kërkon mbështetje të mëtejshme në përpjekje për të ndryshuar ekuilibrin në fushën e betejës dhe për të fituar një pozicion të fortë për bisedimet eventuale të paqes.
Papa tërhoqi zemërimin e zyrtarëve ukrainas në mars kur sugjeroi se ata duhet të kishin guximin e një "flamuri të bardhë" dhe të negocionin një fund të luftës me Rusinë.
Françesku kritikoi gjithashtu planet e ligjvënësve ukrainas për të ndaluar aktivitetet e një dege të Kishës Ortodokse të lidhur me Rusinë, të cilën ukrainasit e kanë akuzuar për përhapjen e propagandës pro-ruse dhe strehimin e spiunëve.