Analisti Milaim Zeka ka thënë se ka burime të sigurta që kryeministri Albin Kurti mund të arrestohet posa të publikohen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Ai për TCh, ka thënë se arrestimi i Kurtit do të bëhet për shkak të mospërgjigjies ndaj ftesës së Prokurorisë Speciale.
Sipas Kodit të procedurës penale të Kosovës, dëshmitari i cili është thirrur me rregull, nuk paraqitet dhe nuk e arsyeton mosparaqitjen, gjyqtari me kërkesë të prokurorit të shtetit mund ta detyrojë dëshmitarin që të paraqitet. Sipas këtij Kodi, mosparaqitja e dëshmitarit mund të dënohet me gjobë deri 250 euro.
“Nëse dëshmitari vazhdon të refuzojë të dëshmojë pasi që është dënuar me gjobë, ai mund të burgoset dhe burgimi zgjat derisa dëshmitari nuk pranon të dëshmojë apo derisa dëshmia e tij bëhet e panevojshme, ose derisa procedura të përfundojë, por jo më shumë se një muaj”, thuhet në Kodin e procedurës penale.Prokuroria e Posaçme e Kosovës e thirri kryeministrin Albin Kurti të dëshmojë në një rast që lidhet me vepër penale të paraparë me nenin 414 të Kodit Penal të Kosovës por pa dhënë ndonjë hollësi rreth rastit. Me këtë nen sanksionohen veprat që kanë të bëjnë me “keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Qeveria e Kosovës kishte thënë në disa raste se kryeministri Albin Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpres prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dyja palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e prokurorisë.
Kryeministri Albin Kurti, mohoi në atë kohë dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore ndërsa akuzoi siç tha, “elitën e vjetër dhe të korruptuar politike, gjykatësit e prokurorët e saj dhe mediat e keqpërdoruara për mbështetje të krimit”, për përpjekje për ta kthyer “ish sistemin e kalbur e të korruptuar”.