Ujëvara më e lartë në malin Yuntai e merr ujin nga një tub i ngulitur në shkëmbinj, ka treguar një video e diskutueshme e marrë nga një alpinist dhe e postuar në mediat sociale, raporton BBC.
Videoja ka mbledhur mbi 70 mijë pëlqime që kur u postua fillimisht të hënën. Menaxherët e Parkut Turistik Yuntai njoftuan se kishin shtuar një "përmirësim të vogël" gjatë sezonit të thatë për ta bërë udhëtimin në ujëvarë të vlefshëm për vizitorët.Videot mbi këtë temë janë parë mbi 14 milionë herë në rrjetin social Weibo dhe afro 10 milionë herë në platformën Douyin, duke shkaktuar një zhurmë të tillë saqë zyrtarë të pushtetit vendor u dërguan në park për të hetuar rastin.
Menaxherëve iu tha të mësonin nga ky incident dhe të informonin turistët paraprakisht për shtesën, sipas transmetuesit shtetëror CCTV.
Ujëvara në provincën qendrore të Henanit është 312 metra e lartë dhe është pjesë e gjeoparkut malor Yuntai. Miliona vizitorë udhëtojnë atje çdo vit, të tërhequr nga formacionet gjeologjike një miliard vjeçare.
Stafi i parkut i tha CCTV se uji që përdorën për ujëvarën ishte uji i burimit, duke shtuar se nuk do të dëmtonte peizazhin natyror.