Përfaqësues të shteteve që janë pjesë e nismës Ballkani i Hapur do të mblidhen sot dhe nesër në Ohër të Maqedonisë së Veriut, për të zhvilluar takimin e radhës ku pritet të nënshkruhen edhe disa marrëveshje bashkëpunimi.
Është njoftuar se të pranishmëve përmes një video-lidhjeje do t’iu drejtohen edhe i dërguari i Posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar dhe komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përsëri i ka thënë jo ftesës së kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, për pjesëmarrje në samitin e Ballkanit të Hapur.
Gjithashtu Bosnje Hercegovina mbetet në qëndrimin e saj për t’u mos bërë pjesë e kësaj nisme, por në cilësinë e vëzhguesit do të paraqitet me një zyrtar.
Në një intervistë për KosovaPress, analisti në Maqedoninë e Veriut, Seladin Xhezairi thotë se iniciativa Ballkani i Hapur po bëhet gjithnjë e më shumë temë jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë dhe SHBA.
“Këtu do të mbërrij sot gjatë ditës edhe komisionari për Zgjerim i BE-së, Varhelyi dhe prania e tij vetvetiu flet për kahet nga do të shkojë kjo nismë ballkanike, po e përsëris e debatueshme në Prishtinë, Podgoricë, Sarajevë dhe në qarqet e këtushme politike në Shkup, me gjithë mbështetjen deklarative se nuk është dhe se nuk mund të dëgjohen rezerva të caktuara. (Varhelyi) do të jetë i pranishëm fizikisht në konferencën e Ohrit që lë të kuptohet për peshën politike dhe mbështetjen që i jep BE kësaj nisme. Kujtoj se takimi i nesërm dhe pozicionimi i tre liderëve në radhë të parë i dyshes Vuçiq-Rama pse jo edhe kryeministrit të Maqedonisë Kovaçevski, do të trasojë edhe fatin, saktësisht tempin e çuarjes përpara të këtij procesi dhe gjithnjë duke marrë parasysh se mund të ketë edhe rezerva, ta zëmë, me pozicionimin e qeverisë së presidentit serb Vuçiq karshi zhvillimeve në Ukrainë dhe kërkesës së BE-së për t’i mbështetur edhe Serbia sanksionet ekonomike ndaj Rusisë”, thotë ai.
“Bëhet e ditur se theksi do të vihet mbi domosdoshmërinë në rrafshin ekonomik të luftimit të asaj që quhet evazion fiskal. Një çështje tjetër do të jetë çuarja përpara e bashkëpunimit në lëmin e kulturës. Çështja tjetër ka të bëjë me njohjen e diplomave të lëshuara nga qendrat universitare të vendeve pjesëmarrje dhe nuk është se këtu nuk kanë pasur apo nuk kanë probleme as pjesëtarët e etnitetit shqiptar konkretisht në Luginën e Preshevës, për shkak se shumë atje kanë përfunduar studimet apo vijojnë shkollimin në qendrat universitare si në Maqedoninë e Veriut, po ashtu në Kosovë dhe në Tiranë, dhe ky do të kishte qenë një ndër benefitet e marrëveshjeve të kësaj nisme”, thotë ai.
Ndryshe, sonte në Ohër do të zhvillohet një darkë në mes të përfaqësuesve të shteteve pjesëmarrëse, ndërsa hapja e samitit bëhet nesër ku do të zhvillohen edhe seanca plenare.