Parlamenti i Shqipërisë i kërkoi organit më të lartë evropian të të drejtave të njeriut që të revokojë një rezolutë të vitit 2011 që përmendte akuza të pabaza për marrjen e organeve njerëzore gjatë luftës së viteve 1990 në Kosovë, shkruan gazeta e njohur amerikane ”Washington Post”.
Më 21 korrik, Parlamenti votoi me 125 vota pro dhe asnjë kundër në favor të një mocioni që kërkon që Këshilli i Evropës të pastrojë Shqipërinë dhe Kosovën nga pretendimet për trafik organesh.
“Ky problem (pretendimet për mbledhjen e organeve) duhet të përfundojë herët a vonë, në mënyrë që njerëzit të gjejnë fuqinë për t’u pajtuar dhe për të jetuar së bashku, duke shëruar plagët e së kaluarës”, thuhet në rezolutë.
Në vitin 2011, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi një rezolutë që kërkonte një mision të Bashkimit Evropian në Kosovë për të hetuar “krimet e luftës dhe trafikimin e organeve”, në Kosovë dhe Shqipëri.
“Indikacione të shumta duket se konfirmojnë se, në periudhën menjëherë pas përfundimit të konfliktit të armatosur, përpara se forcat ndërkombëtare të merrnin kontrollin e rajonit dhe të rivendosnin një pamje të rendit dhe ligjit, disa të burgosurve iu morën organet nga një klinikë në territorin shqiptar… dhe u dërguan jashtë vendit për transplantim”, thuhej në rezolutë.
Rezoluta bazohej në një raport të vitit 2010 nga senatori zviceran Dick Marty, një hetues i Këshillit të Evropës, i cili thoshte se ”UÇK-ja ishte përgjegjëse për vdekjen e qindra serbëve, romëve dhe shqiptarëve etnikë të dyshuar për bashkëpunim me serbët gjatë luftës së Kosovës 1998-1999”.
Pas një hetimi mbi dy vjet e gjysmë, një prokuror special i Bashkimit Evropian në vitin 2014 tha se ai kishte “indikacione se deri në 10 të burgosur u vranë për t’u hequr nga organet e tyre për trafik të paligjshëm dhe shitje në treg, të zinj gjatë luftës”.
Megjithatë, prokurori tha se nuk kishte prova të mjaftueshme për të akuzuar ndonjë nga krimet e supozuara.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e quajti raportin e Martyt “monstruoz” dhe shtoi se ”UÇK-ja nuk mund të konsiderohej një njësi kriminale terroriste që merret me trafikun e organeve”.
Raporti ishte gjithashtu baza për një ndryshim në Kushtetutën e Kosovës që themeloi një gjykatë speciale për të ndjekur penalisht ish-udhëheqësit e UÇK-së për krime lufte.
Më shumë se 13 000 persona, kryesisht shqiptarë etnikë, vdiqën gjatë luftës midis UÇK-së dhe forcave ushtarake serbe, përpara se një fushate bombardimi 78-ditore të NATO-s për ta detyruar Serbinë të tërhiqte trupat e saj dhe t’ia dorëzonte kontrollin OKB-së dhe NATO-s.
Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008.