Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka administruar betimin solemn të shërbimit për 10 vullnetarë të rinj të Korpusit të Paqes në Kosovë, të cilët kanë përfunduar me sukses programin e trajnimit dhjetë javor në grupin e nëntë me radhë.
Të njëjtit do të shërbejnë për dy vite në Kosovë, ndërsa fokus do të kenë arsimin, shëndetësinë dhe pushtetin lokal, për çfarë do të japin shembuj edhe nga sistemi amerikan në vendin tonë.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier është shprehur i impresionuar nga mikpritja dhe dashamirësia e njerëzve në vend. Hovenier derisa ka uruar vullnetarët e rinj, ka thënë se grupi që ka përfunduar këtë trajnim ka qenë i përkushtuar mjaft shumë në këtë drejtim. Ai ka shtuar se duhet t’i tregojmë Shteteve të Bashkuara të Amerikës siç jemi në të vërtetë.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se roli i vullnetarëve dhe i këtij programi është mjaft i rëndësishëm. Sipas saj, me këtë program do të ofrohen praktikat më të mira të sistemit amerikan në vendin tonë.
Vullnetarja Cloe Miller derisa ka falënderuar familjen nikoqirë, është shprehur e lumtur me njerëzit që e kanë rrethuar gjatë kohës së trajnimit në Kosovë.