Vuçiqit nuk mund t'i besohet
Lexohet për: 5 min.
dw
1 vit më parë
Linku u kopjua

“Serbët po marshojnë në Kosovë?”, “Putini po nxit luftën e ardhshme ballkanike?”, “Lojë serbe”... Këto janë vetëm disa nga titujt e shtypit gjerman për gjendjen në Kosovë dhe Serbi.

Mediat gjermane raportojnë se të dielën (1 tetor) automjetet ushtarake serbe janë parë duke u larguar nga kufiri i Kosovës dhe kanë shkuar drejt Serbisë.

"Qeveria e Serbisë mund t'i jetë përgjigjur thirrjeve për tërheqje”, shkruan gazeta Die Zeit, raporton DW.

Njëkohësisht, gazeta rikujton se "Qeveria e Kosovës të shtunën ka njoftuar se monitoron lëvizjen e ushtrisë serbe nga "tre drejtime të ndryshme” dhe se "i ka bërë thirrje Serbisë që të sigurojë demilitarizimin e zonës kufitare”.

Mediat raportojnë se presidenti serb Aleksander Vuçiq ka mohuar raportimet për një prani të shtuar ushtarake në kufirin me Kosovën. Ai në rrjetet sociale ka folur për "fushatën e gënjeshtrave” kundër Serbisë.

Shtohen trupat e Bundeswehrit?

Më parë, qeveria gjermane paralajmëroi se tensionet mund të rriten, duke pasur parasysh numrin e dukshëm të shtuar të ushtarëve serbë në kufirin me Kosovën.

"Nuk duhet të ketë përshkallëzim të mëtejshëm” mes Serbisë dhe Kosovës, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme në rrjetin X (ish-Twitter) dhe theksoi se është e rëndësishme që Serbia "të zvogëlojë menjëherë numrin e njësive në kufi”.

Në të njëjtën kohë, tri partitë gjermane në pushtet, Socialdemokratët (SPD), Të Gjelbrit dhe Liberalët (FDP), u deklaruan në favor të forcimit të misionit paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë nën komandën e NATO-s. Kjo nënkupton vendosjen e forcave shtesë të Bundeswehr-it gjerman.

"Gjermania, në konsultim me aleatët e saj, duhet të kontrollojë urgjentisht nëse mandati i KFOR-it është përmbushur plotësisht dhe të dërgojë më shumë ushtarë në Kosovë," tha politikani i të Gjelbërve Anton Hofreiter për revistën "Spiegel".

Bundeswehri aktualisht ka 85 ushtarë në Kosovë. Mandati, i cili u zgjat për herë të fundit nga Bundestagu në maj, parashikon dërgimin deri në 400 ushtarë të Bundeswehrit në Kosovë.

"Ka, pra, ende vend për rritjen e kontigjentit pa pasur nevojë të ndryshohet mandati", tha Marie-Agnes Strak-Zimmermann, presidente e komisionit parlamentar të mbrojtjes, gjithashtu për "Spiegel".

“Nuk mund të ketë zgjidhje ushtarake"

Gazeta gjermane Die Welt transmeton një intervistë të publikuar nga gazeta italiane "Republika” me komandantin e përgjithshëm të KFOR-it, gjeneralin italian Michele Ristucci, i cili ndër të tjera thotë: "E vetmja zgjidhje është normalizimi i marrëdhënieve. Nuk mund të ketë zgjidhje ushtarake, vetëm politike. Ne ushtarët mund të krijojmë vetëm kushte sigurie për dialog”.

I pyetur se sa ka ndikuar lufta në Ukrainë dhe Rusi në ngjarjet e fundit në Kosovë, gjenerali Ristucci përgjigjet: "Lufta në Ukrainë ka një ndikim të madh në çështjet globale, e Kosova nuk është imune ndaj saj. Por ajo që ndodhi këtu u shkaktua kryesisht nga dinamika e brendshme”.

Ndërsa në pyetjen se a është ide reale që KFOR-i të zëvendësojë Policinë e Kosovës në veri të Kosovës, gjenerali italian thotë: "Është vendim politik. Ne vlerësojmë çdo hipotezë, vendim dhe zhvillim në koordinim me zinxhirin komandues në NATO dhe jemi të gatshëm të marrim çdo detyrë të mëtejshme”.

“Vuçiq po shfrytëzon metodat e mësuesit të tij Millosheviqit"

"Një gjë është e sigurt," shkruan Frankfurter Allgemeine Zeitung, "vetëm Beogradi mund të pajisë dhe të mbështesë një grup të tillë të parregullt. Madje as në veriun e egër të Kosovës, qytetarët e zakonshëm nuk kanë automjete të blinduara apo granata dore. Kur presidenti i fuqishëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tani pohon se nuk dinte asgjë për këtë, duhet të jesh shumë naiv për ta besuar këtë pohim. Vuçiq përdor metodën e mësuesit të tij Millosheviq, ministër i propagandës së të cilit ka qenë edhe vetë: dhuna u delegohet bashkëpunëtorëve të pavarur dhe promovohet sistematikisht, ndërsa në Evropë paraqitet si i shqetësuar dhe bëhet sikur është i gatshëm për negociata, e që në fakt është vetëm përpjekje që të fitojë kohë. Qëllimi i vërtetë është kontrolli i territorit", vlerëson gazeta e Frankfurtit dhe konstaton:

"Burrështetasit që dikur besonin gënjeshtrat e Millosheviqit, sot duken qesharakë në rastin më të mirë. Kushdo që sot mban përgjegjësi dhe beson apo mendon se duhet të besojë se Vuçiqi është një njeri të cilit mund t'i besohet, duhet të mendojë se si do të jetë një qëndrim i tillë pas dhjetë vjetësh. Vuçiq po zbaton një strategji cinike në Kosovë dhe është koha që gjërat t'i quani me emrin e duhur. Jo vetëm në mënyrë retrospektive, me vonesë, si në rastin e Millosheviqit apo Putinit, por tani. Shtrembërimi i fakteve nga Vuçiq është loja e tij. Askush nuk po e detyron Bashkimin Evropian apo Berlinin të marrin pjesë në atë lojë të tij”.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024