Vuçiq: Nuk besoj se do të ketë një takim mes meje dhe Kurtit në Paris
Lexohet për: 3 min.
Prime Minister of Serbia Aleksandar Vucic in Paris
2 vite më parë
Linku u kopjua

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk beson se do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Paris.

Pas takimit me presidentin francez, Emmanuel Macron, ai tha para gazetarëve në Paris se ka ekzistuar mundësia që takimi të ndodhë, mirëpo tashmë nuk beson më, duke mos dhënë më shumë detaje.

Një ditë më herët, Kurti, i cili po ashtu sot gjendet në Paris, tha se mund të ndodhë një takim me Vuçiqin.

Kurti dhe Vuçiq po marrin pjesë në Forumin e Paqes, me ftesë të presidentit francez.

Vuçiq tha, gjithashtu, se presidentit francez ia ka përcjellë “zhgënjimin e popullit tonë në Kosovë, sepse ajo që ishte premtuar nuk u realizua”.

“Nuk ka arsye për të qenë optimist me Prishtinën. Macronit i thashë se ne po kërkojmë vetëm targa neutrale ndaj statusit, siç është në marrëveshje”, tha Vuçiq.

Ai, po ashtu, deklaroi se i ka treguar presidentit francez se cilat janë kushtet për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, pa treguar detaje.

“Por, ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë më pas”, ka shtuar Vuçiq, duke iu referuar kërkesës së Serbisë që Kosova të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Zyrtarë nga Kosova dhe Serbia kanë udhëtuar drejt Francës, në mes të krizës në veri të Kosovës, pasi pjesëtarët e komunitetit serb dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

Qeveria e Kosovës më 1 nëntor nisi të zbatojë planin e saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, me gjithë insistimin e mëhershëm të komunitetit ndërkombëtar që ta shtyjë këtë plan.

Kosova kërkon që ato të zëvendësohen me targa RKS, apo Republika e Kosovës. Plani i saj parashihet të zbatohet në tri faza: e para, qortimi i shoferëve; e dyta, dënimi i shoferëve me 150 euro gjobë, dhe e treta, shpërndarja e targave provuese.

Shumica e serbëve në veri, të mbështetur nga Beogradi zyrtar, e kundërshtojnë planin, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Në shenjë kundërshtimi ndaj zbatimit të tij, serbët e veriut kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

Më 11 nëntor, me Kurtin dhe Vuçiqin në Paris, në takime të ndara, pritet të takohet edhe shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell./topchannel

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024