Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se barrikadat në veri të Kosovës do të largohen kur Kosova të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. “Fillimisht Asociacioni i komunave, pastaj ne do të largojmë barrikadat”, tha Vuçiq.
Për krijimin e Asociacionit, Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Autoritetet në Kosovë kanë argumentuar se krijimi i këtij Asociacioni do të ishte i dëmshëm për Kosovën.Ai kërkoi shpjegim nga Kosova sa i përket arrestimit të ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq, duke shtuar se Beogradi nuk e di arsyen e arrestimit të tij. Autoritetet në Kosovë kanë thënë se Pantiq – që u arrestua më 10 dhjetor – dyshohet për organizimin e “sulmit terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Për shkak të arrestimit të Pantiqit, disa serbë lokalë ngritën barrikada në veri të Kosovës, duke bllokuar rrugët që çojnë drejt pikave kufitare – që lidhin Kosovën dhe Serbinë – të Jarinjës dhe Bërnjakut.