Pas rikthimit për të tretën herë si ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia sot për më shumë se tri orë ka raportuar para anëtarëve të Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale. Përmes një prezantimi të gjatë Vitia premtoi reformë në shëndetësim derisa u shpreh se në plan për këtë vit kanë shumë urgjenca dhe prioritetesh.
Duke mos dhënë afate, ministri Vitia para deputetëve u shpreh se këtë vit synojnë miratimin e Ligjit për Shëndetësi dhe atë për Sigurime Shëndetësore.
Duke folur për punën në spitale, Vitia u shpreh se menaxhmentet spitalore duhet të performojnë krejt më ndryshe sesa tani.
“Menaxhmentet e spitaleve duhet të performojnë krejt ndryshe me atë që kanë vërë deri më tani, nuk është vetëm çështje buxheti por edhe e aftësive për të ndërruar një model fatkeqësisht të rrënjosur në punë“, theksoi ai.
Teksa ka folur për specializantët, Vitia ka thënë se me konkursin e ri do të ndajnë specializime me prioritet në lëmit ku ka më shumë nevoja.
“Me konkursin e ri për specializim në përputhje ekskluzivisht me nevojat e sistemit tonë shëndetësor do të ndajmë specializime me prioritet për lëmit ku ka më shumë nevoja dhe ku ka më shumë lëvizje stafi”, theksoi ai.
“Këtë çështje e kemi adresuar sado që rezultatet nuk mund të jenë të shpejta sado që dikush mendon në mënyrë mekanike...Dy shkaqet kryesore të largimit të tyre janë pagat dhe mundësia për aftësim më të lartë profesional dhe kushtet e punës , qeveria tashmë i ka ngritur pagat e punonjësve shëndetësor me ligjin dhe rregulloren për shtesat në pagat”, u shpreh Vitia.
E me gjithë këtë ekspoze të gjatë ishte e kënaqur kryetarja e këtij Komisioni, Fatmire Kollçaku e cila u shpreh se është inkurajues fakti se po planifikohet decentralizimi i disa shërbimeve sidomos onkologjike.
Ai e pyeti Vitinë se a paraqet konflikt interesi pasi që është kthyer në pozitën e ministritë nga sektori privat, derisa u interesua të dijë edhe për funksionimin e Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi.
“Drejtorët e rinj të klinikave edhe ata të cilët ka pas vërejtur se janë përzgjedhur me ndërhyrje diku diku edhe ndërhyrje direkt nga Bordi i SHKUK-së, kemi parë anëtar të Bordit që kanë qenë pjesë e komisioneve. Dy vite asnjë ligj bazik nuk ka ardhur nga MSH, ligjet që i keni propozuar në vitin 2021 janë bartur në vitin 2022 dhe tash jemi në vitin 2023 procedua legjislative është pak e shumë është e komplikuar. ...Është e pafalshme nëse ne kemi 30 muaj të kësaj qeverisje dhe nuk e kemi së paku një ligj që ne këtu ulemi dhe punojmë. A t’i ka bartë ato kompetenca që i mori nga ministri paraprak, dhe a është ende duke funksionuar ai Komision sepse vartësitë tuja janë vartësitë në atë Komision”, tha Zemaj.
“Ne sot po i vuajmë një pjesë të madhe të këtyre pasojave që po përballemi nga këto 20 viteve e jo dy vite, sepse po të kishte pas specializime për anesteziologë me kohë para 5-6 viteve do kishim anesteziologë mjaftueshëm nuk i kemi pas tash ne duhet me u përballë siç jeni përballë ju me disa probleme të së kaluarës tash....me këtë komision vetë kryeministri Kurti e ka pa dhe ka dashtë me treguar se pas një periudhe post-tramutike si pandemia ka marr mbi vete dhe gjithë mekanizmat tjerë që të tregoj se shëndetësia a është prioritet”, tha ai.
Madje, ministri Vitia tha se nga Agjencia Kundër Korrupsion ku ka qëndruar lënda e tij kanë treguar se ndaj tij nuk është gjetur asnjë konflikt interesi.
“Është e vërtet që kam punuar 6 muaj në institucion shëndetësor privat e kam shpjeguar më herët, nuk kisha thënë më shumë komente lënda ime është dërguar në Agjencionin Kundër Korrupsion dhe në fillim të kësaj jave pas shumë informatave që më kanë kërkuar dhe ua kam dërguar edhe pas shumë hulumtimeve të bëra nuk ka gjetur asnjë konflikt interesi në lidhje me pozicionin tim me këtë institucion privat dhe për disa persona të papërgjegjshëm që kanë shpifur deri në masën se unë jam pronar tani jam duke përgatitur edhe kallëzime për ta”, tha ai.
Se gjendja e shëndetësisë kurrë nuk ka qenë më keq tha deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj iu cili iu referua ministrit Vitia me epitetin “taze”, epitet ky i cili fare nuk I pëlqeu ministrit të Shëndetësisë.
Pas Dreshajt u përgjigj ministri Vitia i cili tha se nuk është taze dhe menaxhimin me këtë sektori e ka marr me përgjegjësi.
E për atë se shëndetësia të jetë si ushtria, Vitia u shpreh se më nuk ka shëndetësi si ushtri e si parti.
Më shumë për punën në institucion privat se ku kishte punuar Arben Vitia u interesua të dijë deputeti nga PDK, Bekim Haxhiu i cili u shpreh se Ministria e Shëndetësisë është shndërruar në drejtori të sektorit privat.
Madje, Haxhiu theksoi se për ministrin Vitia nuk do të adresoj pyetje për sektorin publik të shëndetësisë, pasi ai përfaqëson atë privat.
Ndërsa, pyetjet e deputetit Haxhiu, ministri Vitia i quajti më shumë parulla politike e spekulime, por megjithatë për të gjitha pati përgjigje.
Ai tregoi se paga e tij në institucioni privat ishte 3 mijë e 500 euro e jo aq sa ishte spekuluar, ndërsa pranoi që në atë institucion vazhdon të jetë e punësuar bashkëshortja e tij.
Gjatë këtij raportimi mbi 3 orësh, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia u shpreh se në këtë periudhë të viti në ShSKUK kanë arritur qëndrueshmëri më të mirë në furnizim me barna dhe material shpenzues. Ndërsa, theksoi se po synojnë edhe ofrimin e kimioterapsië gjatë këtij viti në një spital regjonal, si dhe funksionalizimin e rezonancës magnetike në Spitalin e Prizrenit.
Me qëllim të rritjes së kontrollit dhe ofrimit të shërbimeve më cilësore shëndetësore, së shpejti sipas ministritë së Shëndetësisë do të hapet konkursi për inspektorët e rinj. /B.Ibishi/